Në Manastirin Laura në Malin e Shenjtë (Greqia Lindore), u nda nga jeta Jan Kukuzeli, figurë e shquar e kulturës muzikore bizantine, këngëtar, kompozitor dhe teoricien i muzikës. Lindi në Durrës, rreth vitit 1280. Që në fëmijëri tërhoqi vëmendjen për zërin e bukur. U pranua në shkollën e Pallatit Perandorak në Kostandinopojë, ku u shqua si më i afti dhe u mbiquajt “zëengjëllori” dhe “mjeshtri”. Ishte drejtues i këngëtarëve dhe mjeshtër i kapelës perandorake, bëri emër si këngëtari dhe muzikanti më i madh i Kostandinopojës në kohën e tij. U vendos më pas në Manastirin Laura në Malin e Shenjtë, ku krijoi sistemin e shkrimit muzikor, i quajtur shkrimi kukuzelik, që paraqitet si faza e tretë e semiografisë bizantine. Këtë sistem e shtjelloi në një traktat të veçantë me titull “Fillimi i shenjave psaltike të përpiluara e të përpunuara prej mjeshtrit Jan Kukuzeli”. Notacioni muzikor i tij u përdor për disa shekuj në muzikën kishtare. Jan Kukuzeli ishte dhe pedagog, poet e himnograf. Disa nga krijimet e tij kryesore janë himnet “Aniksandri”, “Kënga e Kerubinëve”, “Psalmi 107” etj. Shkroi edhe vepra didaskalike të rëndësishme për historinë e muzikës. (Në fotografi: Jan Kukuzeli)
Teksti: Fjalor enciklopedik shqiptar – Vëll. 2, Akademia e Shkencave e Shqipërisë, “Kristalina-KH”, Tiranë, 2008, faqe 1400.
Fotografia: © https://sq.wikipedia.org/wiki/Jan_Kukuzeli
Përpunim grafik: AHCF




