Në Bolonja (Itali) u nda nga jeta Luixhi (Luigi) Maria Ugolini, (1895–1936), arkeolog italian. Kryesoi misionin arkeologjik italian, të krijuar më 1926 sipas marrëveshjes arkeologjike ndërmjet qeverisë shqiptare dhe qeverisë italiane. Misioni do të kryente për një afat prej 30 vitesh kërkime e gërmime arkeologjike në krejt territorin shqiptar, me përjashtim të prefekturave të Shkodrës, Durrësit e Vlorës, lëshuar pak vite më parë si koncesion një misioni arkeologjik francez. Luixhi Ugolini i filloi gërmimet po atë vit në Finiq, por meqë nuk dhanë rezultatet e pritura, më 1928 u shpërngul në Butrint. Me gërmimet e bëra nga misioni i tij deri më 1937, u zbulua një pjesë e qendrës së qytetit, ku ishte ruajtur teatri, një portik, tempuj e godina të tjera, si dhe mure rrethuese etj. Botoi tri vëllime të titulluara “Albania Antica” (“Shqipëria antike”). Në vëllimet II e III kushtuar gërmimeve të Finiqit (“L’Acropoli di Fenice”, Romë, 1932) e Butrintit (“L’Acropoli di Butrinto”, Romë, 1942), ndeshen edhe mendime e datime jo bindëse, por ato ruajnë vlerën si vepra informacioni arkeologjik për këto dy qytete. Luixhi Ugolini nuk dorëzoi e as nuk la ndonjë inventar të objekteve të zbuluara në gërmime. Më 1928, ai organizoi transportin për në Itali të një numri objektesh me vlerë të rrallë artistike, midis të tjerave edhe të kokës së Apolonit, të zbuluar prej gërmimeve në Butrint. Në vitin 1981, koka e Apolonit u kthye nga qeveria italiane dhe sot ndodhet në Muzeun Historik Kombëtar. (Në fotografi: Luixhi Ugolini)
Teksti: Fjalor enciklopedik shqiptar – Vëll. 3, Akademia e Shkencave e Shqipërisë, “Kristalina-KH”, Tiranë, 2009, faqe 2784.
Fotografia: © https://en.wikipedia.org/wiki/Luigi_Maria_Ugolini
Përpunim grafik: AHCF




