Formimi i Brigadës së III-të Sulmuese të Ushtrisë Nacionalçlirimtare Shqiptare

Lexo ngjarje:

Në fshatin Arbanë të Tiranës u formua Brigada III Sulmuese e Ushtrisë Nacionalçlirimtare Shqiptare. U formua mbi bazën e batalionit të Ishmit dhe me pjesëtarë të njësiteve guerile të Tiranës. U përurua më 16 tetor, sepse më 9 tetor, zhvilloi luftime të ashpra me forcat gjermane që kishin rrethuar Arbanën. Ditën e përurimit, brigada kishte gjithsej 379 partizanë e kuadro, të rreshtuar në 3 batalione, një bateri artilerie 75/13 mm, si dhe një kompani mortajash 81 mm. Më 18 tetor 1943, artileria e Brigadës III Sulmuese qëlloi ndërtesën (sot Pallati i Brigadave) ku ishte mbledhur Asambleja Kombëtare. Brigada III Sulmuese luftoi në zonën e Qafë-Kërrabës dhe të Peqinit, si edhe për spastrimin e zonës së Dajtit nga pushtuesit e bashkëpunëtorët e tyre; ndërmori veprime luftarake për asgjësimin e postave të xhandarmërisë naziste në afërsi të Tiranës dhe brenda qytetit, si në Skuterrë (Qafë- Kërrabë) dhe në Selbë. Gjatë Mësymjes së Përgjithshme armike të Dimrit 1943–1944, Brigada III Sulmuese zhvilloi luftime të ashpra në Pezë e Çermenikë. Pasi doli nga rrethimi, kaloi në zonën e Matit, të Lurës dhe të Krujës. Në rrethana tepër të rënda, të krijuara nga armiqtë në shkurt 1944, efektivi i saj pësoi dëme të ndjeshme. Me pas, Brigada III Sulmuese u plotësua me forca nga Zona I Operative dhe e riorganizuar arriti në rreth 500 veta. Në Mësymjen e Përgjithshme armike të Qershorit 1944, Brigada III Sulmuese luftoi në Kokojkë të Frashërit, në Mashkullorë, në Sukë të Përmetit etj. Në korrik 1944 luftoi për spastrimin e zonës së Dajtit e të Martaneshit nga armiqtë dhe kreu veprime luftarake për të siguruar shpinën e forcave të Divizionit I Sulmues gjatë mësymjes në Shqipërinë e Mesme dhe të Veriut. Në gusht veproi në përbërje te Divizionit II Sulmues kundër forcave gjermane dhe bashkëpunëtorëve në zonën e Elbasanit, në Tiranë dhe në rrethinat e saj. Në shtator–tetor 1944 veproi në zonën Kukës-Peshkopi, së bashku me Brigadën V Sulmuese; në tetor 1944, po me Brigadën V Sulmuese, kaloi në Kosovë dhe mori pjesë në çlirimin e saj. Më 25 nëntor 1944 u rreshtua në Divizionin V Sulmues dhe në përbërje të tij vazhdoi luftën kundër ushtrisë naziste në Sanxhak të Jugosllavisë. Pas kësaj Brigada III Sulmuese u rreshtua në Divizionin VI Sulmues të Ushtrisë Nacionalçlirimtare Shqiptare. Brigada u drejtua nga një shtab me komandant Hulusi Spahiun e komisar Shahin Rukën. (Në fotografi: Partizanë të Brigadës III Sulmuese, Korçë, 1944.)

Teksti: Fjalor enciklopedik shqiptar – Vëll. 1, Akademia e Shkencave e Shqipërisë, “Kristalina-KH”, Tiranë, 2008, faqe 297–298.

Fotografia: © Arkivi Qendror Shtetëror

Përpunim grafik: AHCF

- Advertisement -spot_img

LEAVE A REPLY

Please enter your comment!
Please enter your name here

- Marketing -spot_img
Të fundit

Xhemajl Fetahaj

Në luftimet e zhvilluara në Betejën e Koshares, u vra Xhemajl Fetahaj, luftëtar i Ushtrisë Çlirimtare të Kosovës (UÇK), Hero i Kosovës.
- Marketing -spot_img

Lexo më shumë

- Advertisement -spot_img