U nda nga jeta Ilia Dilo (Sheperi), veprimtar i arsimit kombëtar, gjuhëtar, Mësues i Popullit. Lindi në Sheper të krahinës së Zagorisë (Gjirokastër), në vitin 1872. Kreu gjimnazin “Zosimea” në Janinë; punoi 15 vjet si mësues në Bënjë të Përmetit. Mori pjesë në lëvizjen atdhetare dhe për përhapjen e librave në gjuhën shqipe. Për veprimtarinë e tij në këto fusha u përndoq, u dëbua nga atdheu dhe u dënua me vdekje nga qarqe politike antishqiptare (1914). Në vitet e Luftës I Botërore mori pjesë në veprimtari për mbrojtjen e tërësisë së vendit. Në vitet 1918–1919 ktheu në gjuhën shqipe shkollat e fshatrave të krahinës së Zagorisë. Ishte ndër themeluesit e shoqërisë “Vëllazëria” të Gjirokastrës (1919) dhe sekretar i saj. Mori pjesë në Kongresin Arsimor të Lushnjës (1920) dhe në të Tiranës (1922). Dha ndihmesë për zgjerimin e rrjetit të shkollave dhe për përgatitjen e programeve mësimore. Punoi si mësues i shqipes në Vlorë, në Liceun e Gjirokastrës dhe në shkollën “Normale” të vajzave në Korçë. Në fushën e gjuhësisë botoi veprën “Gramatika dhe sindaksa e gjuhës shqipe sidomos e toskërishtes për shkollat e mesme” (Vlorë, 1927), një nga gramatikat më të mira të kohës, me mjaft ndihmesa vetjake, e cila paraqet gjendjen e gjuhës shqipe të atyre viteve. Në parathënien e saj autori shpreh disa pikëpamje e mendime me vlerë për probleme të ndryshme të gramatikës e të gjuhës letrare. Vepra është ribotuar në Romë (1972) dhe në Tiranë (2001). (Në fotografi: Ilia Dilo)
Teksti: Fjalor enciklopedik shqiptar – Vëll. 1, Akademia e Shkencave e Shqipërisë, “Kristalina-KH”, Tiranë, 2008, faqe 482.
Fotografia: © https://www.radiandradi.com/10194/
Përpunim grafik: AHCF




