U nda nga jeta Metush Krasniqi, veprimtar i lëvizjes për çlirimin e Kosovës dhe për bashkim kombëtar. Lindi në Dajkoc të Kamenicës, në vitin 1928. Shkollën Normale e kreu në Gjakovë dhe Fakultetin Juridik, në Prishtinë (1976). Punoi si mësues e drejtor shkolle në Rogaçicë të Kamenicës dhe në Studençan të Shkupit, pastaj referent në Shkollën e Mesme Teknike në Prishtinë dhe në administratën e Hekurudhave të Kosovës në Fushë-Kosovë. Që nga viti 1944 u përfshi në radhët e Lëvizjes Nacional-Demokratike Shqiptare (LNDSH) dhe ishte bashkëpunëtor i Halim Spahiut, Marije Shllakut e Gjon Serreqit. Më 1950 themeloi organizatën ilegale, e cila u shtri në Anamoravë, Luginë të Preshevës, Kumanovë dhe Shkup. Më 1956 u arrestua, por në mungesë provash u lirua. Më 1958 u arrestua për herë të dytë dhe u dënua me 18 vjet heqje lirie, si udhëheqës i organizatës ilegale. Pas Plenumit të Brioneve (1966) u lirua nga burgu. Vazhdoi veprimtarinë politike për bashkërendimin e forcave atdhetare e demokratike për bashkimin kombëtar. Ishte një nga frymëzuesit dhe organizatorët e demonstratave të vitit 1968 në Prishtinë dhe në Gjilan. Më 1977 formoi organizatën Lëvizja Nacionalçlirimtare e Kosovës dhe e Viseve Shqiptare të Jugosllavisë, e cila synonte çlirimin e trojeve shqiptare në Jugosllavi dhe bashkimin e tyre me Shqipërinë. Organizata shtriu rrjetin në të gjitha hapësirat shqiptare në Jugosllavi. Vuri lidhje me shtetin shqiptar dhe me Lëvizjen Ustashe në Kroaci, e cila ishte shumë e përhapur në Shtetet e Bashkuara të Amerikës. Ishte njëri nga ideatorët e organizimit të demonstratave të vitit 1981. U arrestua dhe u mbajt në izolim 8 muaj në burgun e Gjilanit. Më 1982, me insistimin e tij, u bashkuan në një lëvizje të vetme të gjitha grupet ilegale që vepronin në hapësirat shqiptare në Jugosllavi. Ishte antikomunist i përbetuar, por bashkëpunoi me të gjitha rrymimet politike për interes të bashkimit kombëtar. Për herë të fundit u arrestua në nëntor 1985. Nuk e dorëzoi rrjetin e bashkëpunëtorëve të tij, që ishin mbi 500, ndonëse u torturua egërsisht 6 muaj radhazi, derisa u konstatua se do të vdiste. Për qëndrimin e tij të pamposhtur në hetime, në burgje e në veprimtari nga bashkëveprimtarët u quajt “Legjenda e qëndresës shqiptare”. U nda nga jeta në vitin 1986. (Në fotografi: Metush Krasniqi)
Teksti: Fjalori enciklopedik i Kosovës – Vëll. I, Akademia e Shkencave dhe e Arteve e Kosovës, Prishtinë, 2018, faqe 877-878.
Fotografia: © http://orashqiptare.blogspot.com/2013/06/metush-krasniqi.html
Përpunim grafik: AHCF




