Në Gjirokastër lindi Hysni Babameto, mësues matematike, edukator shqiptar, një ndër pionierët e parë të arsimit shqiptar të shekullit XX. Për arsye shëndetësore u detyrua të braktisë studimet në Fakultetin e Mjekësisë të Stambollit dhe iu kushtua misionit të mësuesit në vendlindje. E nisi detyrën tij në vitin 1910 dhe i kushtoi kësaj karriere më shumë se gjysmë shekulli, duke filluar në Gjirokastër, për ta vazhduar pastaj në Shkodër, Korçë dhe përfundimisht në Tiranë në vitin 1929. U shqua si metodist në mësimdhënien e matematikës, si edukator i brezave, kaloi nëpër kufijtë e shumë sistemeve politike të Shqipërisë të shekullit XX. Hysni Babameto u shqua për patriotizmin dhe shqiptarizmin e tij. Ai ishte dhe autor i një varg tekstesh të matematikës. Shërbeu në Gjimnazin e Tiranës dhe në Politeknikumin e Tiranës. U largua nga bankat e shkollës në vitin 1962 në moshën 74-vjeçare. (Në fotografi: Hysni Babameto)
Teksti: https://memorie.al/kalendari-historik-16-tetor/
Fotografia: © https://sq.wikipedia.org/wiki/Hysni_Babameto
Përpunim grafik: AHCF




