Lufta e Parë Ballkanike

Lexo ngjarje:

Filloi Lufta e Parë Ballkanike, luftë e koalicionit ballkanik për t’i shkëputur territore Perandorisë Osmane. Lufta filloi në tetor dhe zgjati deri në maj të vitit 1913. Midis aleatëve ballkanikë (Serbia, Greqia, Mali i Zi dhe Bullgaria) kishte edhe mosmarrëveshje lidhur me ndarjen e territoreve që do t’i shkëputeshin Perandorisë Osmane. Aleatët ballkanikë shfrytëzuan dobësimin ushtarak të perandorisë dhe problemet e brendshme politike në Stamboll. Ata i shkaktuan Perandorisë Osmane humbje të rënda dhe të njëpasnjëshme në të gjitha frontet e luftës. Ndeshja më e përgjakshme u zhvillua në Betejën e Kumanovës, ku pati shumë të vrarë e të plagosur nga të dy palët, por që u fitua nga koalicioni ballkanik. Lufta midis palëve ndërluftuese në vazhdim u zhvillua rreth qyteteve Shkodër, Janinë dhe Edrene. Këto qytete u mbajtën të rrethuara nën kërcënimin e forcave serbe, malazeze, greke dhe bullgare. Humbjet e ushtrisë osmane në këto zona krijuan kushte të volitshme për të pushtuar territoret shqiptare dhe territore të tjera të banuara me maqedonas. Ushtria serbe, bashkë më atë malazeze, brenda një kohe të shkurtër pushtuan qytetet kryesore të Kosovës, si Prishtinën, Prizrenin dhe Gjakovën. Më pas kaluan Drinin dhe nëpër Rrafshin e Dukagjinit iu drejtuan Shkodrës. Një pjesë e reparteve ushtarake serbe dhe malazeze pushtuan Mirditën, Lezhën, Krujën, Tiranën dhe Durrësin. Disa njësi të tjera serbe marshuan në drejtim të Shkupit, duke pushtuar Manastirin, Ohrin, Dibrën, Strugën, për të kaluar më pas në Elbasan dhe në zona të tjera të Shqipërisë së Mesme. Në jug, pas sukseseve të vazhdueshme dhe fitoreve në Thesali dhe Epir, grekët morën Sazanin, Himarën dhe krahinat e tjera përreth. Nga ana tjetër, shqiptarët e kishin shumë të vështirë përballjen me forcat serbe, malazeze dhe greke, meqë ishin të lodhur nga kryengritjet antiosmane dhe e kishin të pamundur përballjen me aleancën ballkanike për shkak të forcave jo të barabarta si në njerëz, ashtu edhe në armatime. Perandoria Osmane, duke parë se kishte humbur në të gjitha frontet e luftës, kërkoi ndërhyrjen dhe ndërmjetësimin e Fuqive të Mëdha. Më 30 maj 1912 u nënshkrua Traktati i Paqes ndërmjet fuqive ndërluftuese. Sipas Traktatit, Perandoria Osmane humbte zotërimet e veta në Ballkan, me përjashtim të pak territoreve pranë ngushticave të Bosforit dhe Dardaneleve. Gjithashtu, sipas kësaj marrëveshjeje, Perandoria Osmane hiqte dorë nga Shqipëria dhe ua njihte të drejtën Fuqive të Mëdha të caktonin kufijtë dhe të vendosnin për të ardhmen e saj. (Në fotografi: Harta e Ballkanit, viti 1900)

Teksti: Fjalori enciklopedik i Kosovës – Vëll. II, Akademia e Shkencave dhe e Arteve e Kosovës, Prishtinë, 2018, faqe 999–1000.

Fotografia: © https://www.britannica.com/topic/Balkan-Wars

Përpunim grafik: AHCF

- Advertisement -spot_img

LEAVE A REPLY

Please enter your comment!
Please enter your name here

- Marketing -spot_img
Të fundit

Xhemajl Fetahaj

Në luftimet e zhvilluara në Betejën e Koshares, u vra Xhemajl Fetahaj, luftëtar i Ushtrisë Çlirimtare të Kosovës (UÇK), Hero i Kosovës.
- Marketing -spot_img

Lexo më shumë

- Advertisement -spot_img