Krijimi i shoqërisë “Puna”

Lexo ngjarje:

Në Kuçovë u krijua shoqëria “Puna” e naftëtarëve (1935–1936), shoqëri punëtore e krijuar për organizimin e qëndresës kundër shfrytëzimit të kapitalistëve italianë të shoqërisë së naftës AIPA (Azienda Italiana-Petroli Albania). Fillimisht shoqëria “Puna” e naftëtarëve përfshiu në gjirin e saj 680 anëtarë. Më vonë i zgjeroi radhët në gjithë territorin e shoqërisë AIPA, përfshiu dhe punëtorët e Ujit të Ftohtë të Vlorës e gjetkë, duke e rritur numrin e punëtorëve të organizuar deri në 3000 veta. Shoqëria “Puna” e naftëtarëve, që në statutin e vet u emërtua Shoqëria Punëtore e Kuçovës dhe e qarkut “Puna”, hartoi një program të gjerë që i mobilizoi naftëtarët në luftë të dyfishtë: kundër koncesioneve të huaja dhe regjimit të kohës. Më 18 nëntor 1935, organizoi grevën e parë njëditore kundër shfrytëzimit e arbitrariteteve të sipërmarrësve, për shtimin e mëditjes e përmirësimin e kushteve të punës e të jetesës së punëtorëve. Greva përfundoi me fitore. Të gjithë punëtorët e pushuar nga puna u morën përsëri në punë, u shtua paga e tyre dhe u pakësua orari i punës. Por veprimtaria e naftëtarëve i zemëroi shumë sipërmarrësit dhe autoritetet, të cilët nuk linin rast pa goditur punëtorët e sidomos udhëheqësit e shoqërisë “Puna”, një pjesë të mirë të të cilëve i nxorën nga puna. Nga organet qeveritare u kërkua largimi nga Kuçova i më se 50 punëtorëve, më aktivët e shoqërisë “Puna”. Kundër këtyre masave, më 11 shkurt 1936, punëtorët u hodhën në grevë të përgjithshme, që zgjati tri ditë. Kjo grevë përbën kulmin e veprimtarisë së kësaj shoqërie. Shoqëria AIPA alarmoi Romën se punëtorët shqiptarë përbënin një rrezik serioz për të. Qeveria Shqiptare vuri në lëvizje xhandarë e funksionarë. Vetë ministri i Brendshëm Ethem Toto urdhëroi shpërndarjen e punëtorëve, arrestimin e 60 prej tyre dhe largimin nga qyteti të më se 30 të tjerëve. Pas këtyre masave ekstreme, praktikisht edhe shoqëria pushoi së vepruari. (Në fotografi: Impjant pilot distilimi në Kuçovë.)

Teksti: Fjalor enciklopedik shqiptar – Vëll. 3, Akademia e Shkencave e Shqipërisë, “Kristalina-KH”, Tiranë, 2009, faqe 2513.

Fotografia: © https://naftetari.wordpress.com/fotografi-te-viteve-1918-deri-1946-per-zhvillimet-ne-naften-shqiptare/

Përpunim grafik: AHCF

- Advertisement -spot_img

LEAVE A REPLY

Please enter your comment!
Please enter your name here

- Marketing -spot_img
Të fundit

Xhemajl Fetahaj

Në luftimet e zhvilluara në Betejën e Koshares, u vra Xhemajl Fetahaj, luftëtar i Ushtrisë Çlirimtare të Kosovës (UÇK), Hero i Kosovës.
- Marketing -spot_img

Lexo më shumë

- Advertisement -spot_img