Lindi në Elbasan Demir Hyskja, aktor i teatrit dhe i kinematografisë, Artist i Popullit. Kreu shkollën e mesme teknike në vitin 1955. Në vitin 1961 ndoqi kursin 6-mujor për aktor pranë Teatrit Popullor. Më pas mbaroi studimet e larta me korrespondencë për aktor në Akademinë e Arteve. Ka punuar vijimisht pranë teatrit “Skampa” të Elbasanit, që nga krijimi i tij në vitin 1962 e deri sa doli në pension në vitin 1992, duke qenë ndër individualitetet më në zë të këtij teatri. Ka luajtur mbi 60 role të ndryshme në drama dhe në komedi, kryesisht role të para. Demir Hyskja ka interpretuar gjithashtu edhe në 27 filma shqiptarë, në role të ndryshme. Loja e Demir Hyskjes dallohet për tonet e ngrohta, të shtrira, të përmbajtura, me thekse epiko-dramatike; po ashtu ai shquhet për siguri e qartësi vlerësimi gjatë lojës, për zërin e plotë, të rrumbullakuar, të rrjedhshëm, për vlerën që i jep fjalës dhe kuptimit të saj në skenë, për qetësinë apo zotërimin e gjendjes emocionale, duke sjellë para publikut tipa dhe karaktere shqiptare, atdhetarë e heronj të luftës, burra të mençur e qëndrestarë, kryesisht në rrafshe heroiko-dramatike. U nda nga jeta në vitin 2016. (Në fotografi: Demir Hyskja)
Teksti: Josif Papagjoni
Fotografia: © https://www.lajme.al/demir-hyskja-intervista-e-fundit-para-vdekjes/
Përpunim grafik: AHCF




