Lindi në Tiranë Fatos Haxhiraj, regjisor, aktor, Artist i merituar. Pas përfundimeve të studimeve të larta u emërua si aktor në Teatrin Popullor në vitin 1968. Si aktor, luajti me sukses disa role karakteresh. Ndjenja e humorit dhe mprehtësia për të vëzhguar tipa e gjësende të veçanta në sjelljen e njerëzve, u bënë udhërrëfyeset për të kërkuar, më tutje, elementët e përshtatshëm psikofizikë që i gjegjeshin modelit të “aktorit të karaktereve”, çka i dhanë edhe suksesin si të tillë. Prirjet e tij për regjisurë u vunë re herët, por ato u shfaqën veçanërisht pas disa bashkëpunimeve të ngushta me regjisorin Pirro Mani. Më 1 tetor 1981 u emërua regjisor i Teatrit Popullor. Në konceptin e tij regjisorial zuri vend kryesor kritika ndaj mekanizmit tjetërsues të tregut, të shterimit psikik që ai sillte, si dhe të shkatërrimit të iluzioneve përballë të vërtetës së ashpër të jetës. Në përgjithësi regjia e Fatos Haxhirajt bie në sy për thyerje dhe gërshetime planesh; kalohet me natyrshmëri nga dramatikja e tragjikja te komikja dhe farsa. (Në fotografi: Fatos Haxhiraj)
Teksti: Josif Papagjoni
Fotografia: © https://www.shqipet.al/fatos-haxhiraj-feston-81-vjetorin/
Përpunim grafik: AHCF




