U zhvillua “Masakra e Bihorit”, aksion i bandave çetnike serbe në krahinën e Bihorit, në të cilën u masakruan 3 741 burra, gra dhe fëmijë, u plagosën 634 persona, u grabit bagëtia dhe u dogjën disa fshatra. Krahina e Bihorit ishte zonë neutrale ndërmjet Malit të Zi dhe Shqipërisë, e pushtuar nga Italia. Njësitë çetnike, që numëronin rreth 4 000 veta, pa asnjë shkas, me pëlqimin e komandës italiane, masakruan popullsinë shqiptare dhe boshnjake të Sanxhakut. Masakra e tronditi Kosovën dhe mbarë trojet shqiptare. Iliaz Agushi, ministër në qeverinë e Mustafa Krujës, formoi një komision për mbledhjen e të dhënave për këtë masakër. Komisioni, të cilin e drejtonte Emrush Miftari, me ndihmën e nënprefektit të Rozhajës, Demë Ali Pozharit dhe Bajram Gashit, mblodhi 4 arka me sy, koka e gjymtyrë njerëzish dhe gjinj të prerë të femrave. Këto arka u ekspozuan në Rozhajë dhe në Pejë dhe prej andej u dërguan në Tiranë, pranë organeve më të larta të pushtetit italian. Mirëpo qëndrimi mospërfillës i komandës italiane shkaktoi valë antiitaliane në Shqipëri e sidomos në Kosovë, reagim që u munduan ta shfrytëzonin komunistët për qëllimet e tyre politike. Mirëpo Partia Komuniste e Shqipërisë e heshti tërësisht masakrën dhe nuk e informoi asnjëherë opinion shqiptar për këtë ngjarje. (Në fotografi: Çetnikët duke therur civilë.)
Teksti: Fjalori enciklopedik i Kosovës – Vëll. II, Akademia e Shkencave dhe e Arteve e Kosovës, Prishtinë, 2018, faqe 1053.
Fotografia: © https://sq.wikipedia.org/w/index.php
Përpunim grafik: AHCF




