Lindi në Vuno të Himarës. Kreu gjimnazin në Vlorë. Ndoqi studimet e larta dhe u diplomua në Institutin Kinematografik të Moskës për kinooperator (1960). Filloi punën si kinooperator në Kinostudion “Shqipëria e Re”, ku xhiroi filmat “Debatik” (1961), “Toka jonë” (1964), “Komisari i dritës” (1966, bashkautor). Filmi i parë si regjisor i pavarur ishte “Duel i heshtur” (1967), ku vërehen arritje të planit psikologjik. Pas tij realizoi filmat “Plagë të vjetra” (1969), “Malet me blerim mbuluar” (1971), ku shprehet stili i tij i veçantë, një gjuhë filmike e pastër dhe lakonike. Një pikë kulmore shënon filmi “Lulëkuqet mbi mure” (1976), që ka fituar disa çmime kombëtare e ndërkombëtare dhe vështrohet si një nga veprat më të arrira të kinematografisë shqiptare. Në filmat e mëvonshëm “Përrallë nga e kaluara” (1987) dhe “Kthimi i ushtrisë së vdekur” (1989), Dhimitër Anagnosti është edhe autor i skenarit. Filmi më ri i tij është “Gjoleka, djali i Abazit” (2006). Në mars 1991 Dhimitër Anagnosti u zgjodh deputet dhe u emërua ministër i Kulturës, Rinisë dhe Sporteve (1992–1996). Dhimitër Anagnosti ka marrë Çmimin e Republikës të shkallës së parë (dy herë) dhe të shkallës së dytë (një herë), ka fituar tri çmime ndërkombëtare, nga të cilët një çmim të madh dhe një medalje ari. Është fitues i tri kupave të festivaleve të filmit shqiptar, si dhe i çmimit “Aleksandër Moisiu” (1989); në Festivalin X të Filmit Shqiptar (1995) u nderua me “Çmimin e Karrierës”. (Në fotografi: Dhimitër Anagnosti)
Teksti: Fjalor enciklopedik shqiptar – Vëll. 1, Akademia e Shkencave e Shqipërisë, “Kristalina-KH”, Tiranë, 2008, faqe 68.
Fotografia: © https://lorenamemo.files.wordpress.com/2015/05/dhimiter-anagnosti-1.jpg
Përpunim grafik: AHCF




