Lindi në Tiranë Xhemal Myftiu, aktor i humorit. U aktivizua herët në lëvizjen teatrore amatore të qytetit të lindjes, posaçërisht në grupin e estradës së Pallatit të Kulturës “Ali Kelmendi”, qysh nga viti 1956. Talenti i tij i lindur si aktor komik me nur e hir skenik, zëri karakteristik paksa i ngjirur, spontaniteti i veprimit, gjesti i figurshëm, mimika shprehëse, aftësia për të qëmtuar tipa e karaktere nga meset rurale të zonës së Tiranës e përgjithësisht atyre të Shqipërisë së Mesme, sharmi i lëvizjeve plastike e pantomimike, u bënë premisat dhe garancitë e nevojshme për ta afruar si aktor profesionist në Estradën e Shtetit, më 1964. Në mbi 50 vjet përvojë artistike, ai krijoi në skenën e kësaj estrade një galeri figurash komike, filluar nga pjesët e shkurtra e zhanret e llojllojshme të teatrit të estradës, dhe gjer te komeditë me një dhe shumë akte. U nda nga jeta në vitin 2012. (Në fotografi: Xhemal Myftiu)
Teksti: Josif Papagjoni
Fotografia: © https://ata.gov.al/2021/01/28/perkujtohet-xhemal-myftiu-portreti-dhe-zeri-pikant-i-humorit-shqiptar/
Përpunim grafik: AHCF




