U nda nga jeta Filip Papajani (1878–1945), shkrimtar e publicist. Mori mësimet e para në Elbasan dhe kreu studimet e larta për mjekësi në Rumani. Mori pjesë në lëvizjen atdhetare demokratike të viteve 1921–1924. Nxori gazetën politike-letrare “Shkumbini” (1921). Shkroi në disa gjini: poemat “Osman-Marija” (1913) dhe “Ndreka” (1925), përmbledhjen poetike “Elbasani” (1938), tregimet e gjata “Pelazgë, qytetnim, vllazni!” (1923), “Fatbardhi” (1934), dramat “Moisi Golemi” (1928) etj. Në veprat e Filip Papajanit zotërojnë temat karakteristike për letërsinë e Rilindjes Kombëtare; në disa vepra tregoi jetën e vështirë të vegjëlisë. U njoh me pseudonimin Lipi. (Në fotografi: Filip Papajani)
Teksti: Fjalor enciklopedik shqiptar – Vëll. 3, Akademia e Shkencave e Shqipërisë, “Kristalina-KH”, Tiranë, 2009, faqe 1930.
Fotografia: © Arkivi Digjital Shqiptar
Përpunim grafik: AHCF




