Më 15 prill 1936, në Korçë doli numri i parë i revistës “Bota e Re” (1936–1937), revistë e përdyjavshme shoqërore, kulturore, letrare dhe ekonomike. Vijoi deri më 15 shkurt 1937 (numri 21), kur u ndalua nga qeveria. U themelua nga intelektualët përparimtarë të qytetit. Revista trajtoi me frymë demokratike problemet themelore shoqërore, politike e kulturore. Drejtpërdrejt ose tërthorazi shtroi çështjen e ndryshimit të rendit shoqëror. Revista stigmatizoi regjimin e mbretit Zog, zbuloi plagët e shoqërisë së asaj kohe, ngriti çështjen e çlirimit të gruas dhe të mbrojtjes së lirisë nga rreziku i agresionit fashist italian. Në faqet e saj u botuan krijime letrare. Me këtë revistë bashkëpunuan intelektualë të shquar të kohës, si Millosh Gj. Nikolla (Migjeni), Nonda Bulka etj. Revista botoi edhe përkthime nga shkrimtarë të huaj, si Viktor Hygo, Maksimim Gorki etj. (Në fotografi: Numri i parë i revistës “Bota e Re”.)
Teksti: Fjalor enciklopedik shqiptar – Vëll. 1, Akademia e Shkencave e Shqipërisë, “Kristalina-KH”, Tiranë, 2008, faqe 285.
Fotografia: © Qendra e Studimeve dhe Publikimeve pë Arbëreshët
Përpunim grafik: AHCF




