Në frontin e lumit Ebro të Spanjës u vra Asim Vokshi, veprimtar i lëvizjes komuniste, pjesëmarrës në Luftën e Spanjës, Hero i Popullit. Lindi në Gjakovë. Shkollën fillore e nisi në vendlindje (1916–1918), por për shkak të ngjarjeve tragjike pas aneksimit të Kosovës nga Serbia, e përfundoi në Kolgecaj (Tropojë). Kreu shkollën e mesme në Shkodër. Ndoqi Akademinë Ushtarake në Itali dhe u kthye në atdhe më 1932 me gradën nëntoger. Shërbeu në ushtri deri në tetor 1935. Në vitin 1934 hyri në lidhje me ushtarakë të tjerë të rinj për përgatitjen e një kryengritjeje të armatosur kundër regjimit të Ahmet Zogut. Në prag të shpërthimit të kryengritjes së Fierit të vitit 1935, u arrestua dhe u dënua me burgim e internim. Në vitin 1936 ishte administrator i revistës përparimtare “ABC” dhe vazhdoi të mbante lidhje me veprimtarë të grupeve komuniste dhe elementë të tjerë përparimtarë. Në fillim të vitit 1937 shkoi në Spanjë për të luftuar kundër fashizmit dhe në mbrojtje të Republikës. U rreshtua në Brigadën XII “Garibaldi”. Ra në një nga luftimet e ashpra në krye të formacionit që komandonte. (Në fotografi: Asim Vokshi)
Teksti: Fjalor enciklopedik shqiptar – Vëll. 3, Akademia e Shkencave e Shqipërisë, “Kristalina-KH”, Tiranë, 2009, faqe 2913.
Fotografia: © https://sq.wikipedia.org/wiki/Asim_Vokshi
Përpunim grafik: AHCF




