Në fshatin Luzaj të Beratit lindi Astrit Suli, luftëtar i Ushtrisë Çlirimtare të Kosovës, dëshmor. Pasi kreu shkollën e mesme, emigroi në Greqi. U kthye nga Greqia dhe u bashkua me vullnetarët në Burrel, të cilët stërviteshin për luftë në Kosovë. Në maj të vitit 1999 hyri në përbërjen e një batalioni që u vendos në lartësitë e fshatit Gorozhup, në faqen e malit të Pashtrikut, në përbërje të forcave që do të realizonin operacionin “Shigjeta”. Më 26 maj 1999 filloi sulmi i forcave të Ushtrisë Çlirimtare të Kosovës në sektorin e Gorozhupit, ku gjendej edhe togu i Astrit Sulit. Më 27 maj, forcat e Ushtrisë Çlirimtare të Kosovës u sulmuan me artileri nga forcat armike. Në muzgun e asaj dite, njësitë e Ushtrisë Çlirimtare të Kosovës kaluan në kundërsulm, ku u vra Astrit Suli dhe pesë dëshmorë të tjerë. Në vitin 2000, trupi i Astrit Sulit u rivarros në Varrezat e Dëshmorëve të Qytetit të Beratit. (Në fotografi: Astrit Suli)
Teksti: Fjalori enciklopedik i Kosovës – Vëll. II, Akademia e Shkencave dhe e Arteve e Kosovës, Prishtinë, 2018, faqe 1548.
Fotografia: © https://www.facebook.com/BABAKOSHARE/posts/1621151944705093/
Përpunim grafik: AHCF




