U nda nga jeta Besa Imami, aktore e teatrit, Artiste e merituar. Lindi në Gjakovë në vitin 1928. Në vitin 1946 hyri në trupën e Teatrit Popullor, ku kreu kursin 2-vjeçar të kualifikimit për aktorë. Fillimisht luajti personazhe lirike e romantike (Donika Kastrioti në filmin “Skënderbeu”, 1953), më vonë u bë më e përshtatshme për të luajtur personazhe kryesisht me natyrë dramatike. Gjatë karrierës së saj ka interpretuar mbi 80 role, ndër të cilat: Gjinevra te “Rrënjë të thella” (Xhejms Gou dhe Duso, 1949); Gana Lihta te “Komploti i të dënuarve” (Nikollaj Virta, 1950), Oksana te “Fundosja e skuadrës” (Korneiçuk, 1959); Ermira te “Mbi gërmadha” (Fadil Paçrami, 1964), Gonerilla te “Mbreti Lir” (Shekspir, 1964), Lokja te “Cuca e maleve” (Loni Papa, 1967), Laja te “Lulet e shegës” (Kolë Jakova, 1974) etj. U nda nga jeta në vitin 2014. (Në fotografi: Besa Imami)
Teksti: Fjalor enciklopedik shqiptar – Vëll. 2, Akademia e Shkencave e Shqipërisë, “Kristalina-KH”, Tiranë, 2008, faqe 982.
Fotografia: © https://www.kinematografia-shqiptare-sporti.com/ne-kujtim-te-aktores-besa-imami-1928-2014/
Përpunim grafik: AHCF




