Në Menkulas të rrethit të Devollit lindi Dritëro Agolli, poet, prozator, publicist e politikan. Në vendlindje mori dhe mësimet e para. Vijoi edukimin në Gjirokastër e më pas u zhvendos drejt Shën Petërburgut, për të ndjekur studimet e larta në Fakultetin e Arteve. Që prej vitit 1973, Agolli ka qenë kreu i Lidhjes së Shkrimtarëve dhe të Artistëve të Shqipërisë. Për vite me radhë ka ushtruar profesionin e gazetarit në të përditshmen “Zëri i Popullit” dhe për disa legjislatura ka shërbyer si deputet. Krijimtaria letrare që ai la pas, përfshin disa gjini, si: poezi, poema, tregime, novela, romane, drama, skenarë filmash etj. Vepra e tij poetike më e shquar është “Nënë Shqipëri” (1975), ku përvijohen traditat heroike të vendit. Në këto tone ka shkruar romanin “Komisari Memo” (1969), si edhe një sërë vjershash dhe poemash, në të cilat pasqyrohet fryma heroike e periudhës së Luftës Nacionalçlirimtare. Mes krijimeve të tij satirike, romani “Shkëlqimi dhe rënia e shokut Zylo” (1973) veçohet për një kontribut letrar të pamohueshëm. Në këtë kronikë të karrierës së palavdishme të një zyrtari, Agolli ironizon skematizmin dhe konformizmin e burokratëve. U nda nga jeta në vitin 2017, në moshën 85-vjeçare, pas një sëmundjeje kronike në mushkëri. (Në fotografi: Dritëro Agolli)
Teksti: Fjalor enciklopedik shqiptar – Vëll. 1, Akademia e Shkencave e Shqipërisë, “Kristalina-KH”, Tiranë, 2008, faqe 16–17.
Fotografia: © https://www.facebook.com/photo/?fbid=782037596611154&set=a.257981645683421
Përpunim grafik: AHCF




