U zhvillua “Epopeja e Kodrës së Kuqe”, qëndresë heroike e Vojo Kushit, komandant i njësiteve guerile të Tiranës, dhe shokëve të tij Sadik Stavileci dhe Xhoxhi Martini. Ata u gjetën të rrethuar befasisht nga fashistët në një bazë të Luftës Antifashiste Nacionalçlirimtare (shtëpia e atdhetares Ije Farka), në lagjen “Kodra e Kuqe” të Tiranës. Në operacion merrnin pjesë shumë forca fashiste të shoqëruara me tanke e autoblinda. Pas disa orë luftimesh ranë Xhorxhi e Sadiku. Kundër Vojo Kushit armiku hodhi në sulm tanket, që rrëzuan murin e shtëpisë dhe çatinë e dhomës, ku ai luftonte. Vojo Kushi u hodh mbi njërin prej tyre, me qëllim që të hapte kapakun e çeliktë dhe të asgjësonte ekuipazhin, por u godit për vdekje nga tanku tjetër. Kjo ngjarje la mbresë të thellë në popull dhe shtoi vendosmërinë për të luftuar fashizmin. (Në fotografi: Piktura e Sali Shijakut “Vojo Kushi”, 1969.)
Teksti: Fjalor enciklopedik shqiptar – Vëll. 1, Akademia e Shkencave e Shqipërisë, “Kristalina-KH”, Tiranë, 2008, faqe 607.
Fotografia: © http://www.panorama.com.al/
Përpunim grafik: AHCF




