Lindi Eshref Frashëri, veprimtar politik. Kreu shkollën e mesme dhe studimet e larta për inxhinieri ndërtimi në Stamboll dhe prej vitit 1914 mori pjesë në komitetin patriotik shqiptar të atjeshëm. Qe një nga organizatorët e Kongresit Kombëtar të Lushnjës (1920), zv.kryeministër dhe drejtor i përgjithshëm i Punëve Publike (31 janar–14 nëntor 1920). U zgjodh kryetar i Parlamentit shqiptar që doli nga zgjedhjet e 5 prillit 1921. Më 1925 u zgjodh senator dhe në shtator të atij viti u caktua kryetar i Senatit. Eshref Frashëri u dyshua se kishte marrë pjesë në veprimtari të fshehta të bejlerëve të Jugut kundër Ahmet Zogut. Më 1926 Eshref Frashëri e dorëzoi detyrën e kryetarit të Senatit dhe në atë vend u caktua Pandeli Evangjeli. Por në vitin 1932 u zgjodh përsëri deputet i Parlamentit. Në gusht të 1938 u zgjodh në kryesinë e shoqërisë SITA (Shoqëria Industriale Tregtare Shqiptare). U nda nga jeta në vitin 1938. (Në fotografi: Eshref Frashëri)
Teksti: Fjalor enciklopedik shqiptar – Vëll. 1, Akademia e Shkencave e Shqipërisë, “Kristalina-KH”, Tiranë, 2008, faqe 724.
Fotografia: © https://sq.wikipedia.org/wiki/Eshref_Frash%C3%ABri
Përpunim grafik: AHCF




