Fatos Arapi

Lexo ngjarje:

Në Tiranë u nda nga jeta Fatos Arapi, poet, prozator e estetist. Lindi në Vlorë, në vitin 1930. Kreu studimet e larta për ekonomi në Universitetin e Sofjes (1949–1954). Ka punuar si gazetar, pedagog dhe shkrimtar në krijimtari të lirë. Fatos Arapi nisi të shkruajë që në vitet e studimeve. Ka botuar vëllimet poetike: “Shtigje poetike” (1962), “Poema dhe vjersha” (1966), “Drejt qindra shekujsh shkojmë” (1977), “Antologji personale” (2001) etj. Fatos Arapi u mbështet te fryma e poezisë popullore dhe forca e saj përgjithësuese, duke iu larguar stilit narrativ, përshkrues. Në disa nga krijimet, më të goditurat, Fatos Arapi evokon me nota himnike heroizmin e viteve të luftës antifashiste. Me kalimin e viteve, poezia është bërë më metaforike; përmes vargjeve eliptike dhe përmes simbolit e alegorisë, ajo synon të hyjë në nënshtresat e ndërgjegjes dhe në të fshehtat e shpirtit njerëzor. Disa motive të poezisë së tij pasqyrojnë tragjizmin e jetës njerëzore, bëjnë fjalë për një horizont të mjegullt, brenda të cilit ndihen ankthe dhe pasiguri. Vargu i Fatos Arapit është një gërshetim i vargut klasik me vargun me një ritëm të lirë, që fiton një tingëllim origjinal. Një vend të dukshëm në krijimtarinë e Fatos Arapit, krahas lirikave të shkurtra, zënë poemat “Alarme të përgjakura” (1966), “Drashovica” (1961) dhe “Antiburokratike” (1968). Fatos Arapi ka lëvruar edhe novelën, si: “Patat e egra” (1970), “Dikush më buzëqeshte” (1972), dhe romanet “Dhjetor i shqetësuar” (1970), “Shokët” (1977), “Deti në mes” (1977). Poezi të Fatos Arapit janë botuar edhe në gjuhë të huaja. Fatos Arapi ka botuar studime dhe ese për probleme të folklorit (“Këngë të moçme shqiptare”, 1986), vështrime historike për Ballkanin, (“Çështja shqiptare dhe kriza ballkanike”, 2001), për poezinë, si për Lasgush Poradecin etj. Është marrë edhe me përkthime nga Pablo Neruda, nga poezia bullgare, maqedonase, turke etj. (Në fotografi: Fatos Arapi)

Teksti: Fjalor enciklopedik shqiptar – Vëll. 1, Akademia e Shkencave e Shqipërisë, “Kristalina-KH”, Tiranë, 2008, faqe 86–87.

Fotografia: © http://www.radiandradi.com/atdheu-eshte-dhimbje-cikel-poetik-nga-fatos-arapi/

Përpunim grafik: AHCF

- Advertisement -spot_img

LEAVE A REPLY

Please enter your comment!
Please enter your name here

- Marketing -spot_img
Të fundit

Xhemajl Fetahaj

Në luftimet e zhvilluara në Betejën e Koshares, u vra Xhemajl Fetahaj, luftëtar i Ushtrisë Çlirimtare të Kosovës (UÇK), Hero i Kosovës.
- Marketing -spot_img

Lexo më shumë

- Advertisement -spot_img