Në Zall-Mëner të Tiranës u formua Brigada XXIII Sulmuese e Ushtrisë Nacionalçlirimtare Shqiptare. U formua nga batalionet “Krujë-Ishëm”, “Dajti” e “Mati”, me efektiv rreth 700 luftëtarë, që u organizuan në 3 batalione. U rreshtua menjëherë në përbërjen e Divizionit I Sulmues dhe mori pjesë në luftën për çlirimin e Tiranës. Forcat e saj për dy muaj rresht goditën autokolonat gjermane në rrugën Vorë-Milot, si dhe garnizonet e fortifikuara të armikut në Krujë, Vorë dhe urën e Zezës (Fushë-Krujë), duke u shkaktuar humbje të rënda. Pas goditjeve të ashpra e të vijueshme, më 2 nëntor çliroi Krujën. Me urdhër të Shtabit të Korparmatës I Sulmues, më 17 nëntor, Brigada XXIII Sulmuese në bashkëveprim me Brigadën XXIV Sulmuese vazhdoi ndjekjen e forcave naziste gjermane, që po tërhiqeshin në rrugën Milot-Lezhë-Shkodër, duke i shkaktuar armikut humbje të ndjeshme; më 18 nëntor çliroi Milotin, më 23 nëntor Lezhën dhe, së bashku me forcat e disa brigadave të tjera, mori pjesë në çlirimin e Shkodrës. Me urdhër të Komandës së Përgjithshme kaloi kufirin shtetëror dhe vazhdoi veprimet luftarake në Mal të Zi bashkë me Brigadën VII Sulmuese dhe Brigadën XXIV Sulmuese për të ndihmuar në çlirimin e popujve të Jugosllavisë. Nga radhët e Brigadës XXIII Sulmuese ranë 18 dëshmorë. (Në fotografi: Partizanë të Brigadës XXIII Sulmuese.)
Teksti: Fjalor enciklopedik shqiptar – Vëll. 1, Akademia e Shkencave e Shqipërisë, “Kristalina-KH”, Tiranë, 2008, faqe 307.
Fotografia: © Arkivi Qendror Shtetëror
Përpunim grafik: AHCF




