Në Bicaj të Kukësit u formua Brigada XXIV Sulmuese e Ushtrisë Nacionalçlirimtare Shqiptare. U formua nga batalioni i Lumës me vullnetarë të rinj të krahinës së Kukësit, me një efektiv të përgjithshëm prej 500 luftëtarësh, që u organizuan në katër batalione. Brigada luftoi për çlirimin e plotë të vendit dhe ndihmoi për ngritjen e forcimin e pushtetit të këshillave nacionalçlirimtarë. Gjatë kësaj periudhe efektivi i saj arriti rreth 1000 veta. Nga 31 tetor – 7 nëntor 1944, në bashkëveprim me Brigadën XXIII Sulmuese goditi kolonat gjermane që tërhiqeshin në rrugën Kukës-Prizren dhe u shkaktoi humbje të ndjeshme. Me urdhër të Shtabit të Korparmatës I Sulmuese, më 10 nëntor mori pjesë në luftën për çlirimin e Tiranës, ku organizoi pritë në rrugën Tiranë-Kashar. Pas çlirimit të Tiranës, në bashkëveprim me Brigadën XXIII Sulmuese vazhdoi ndjekjen e forcave naziste në tërheqje, në rrugën ura e Zezës-Milot-Lezhë-Shkodër. Më 24–26 nëntor kreu veprime të efektshme mësymëse në ndjekje të armikut që mbrohej në rajonin e fortifikuar në Bërdicë dhe në Beltojë (Shkodër). Pas çlirimit të Shkodrës, më 29 nëntor 1944, Brigada XXIV Sulmuese mori detyrë të kalonte kufirin shtetëror dhe të vepronte në drejtim të Ulqinit e më tej në Malin e Zi; më pas veproi në Malësinë e Madhe e në Dukagjin. Brigada drejtohej nga shtabi me komandant Ndreko Rinon. Nga radhët e saj ranë 32 dëshmorë. (Në fotografi: Partizanë të Brigadës XXIV)
Teksti: Fjalor enciklopedik shqiptar – Vëll. 1, Akademia e Shkencave e Shqipërisë, “Kristalina-KH”, Tiranë, 2008, faqe 307.
Fotografia: © Arkivi Qendror Shtetëror
Përpunim grafik: AHCF




