U formua Divizioni V Sulmues i Ushtrisë Nacionalçlirimtare Shqiptare. Në të u rreshtuan: Brigada III Sulmuese, Brigada V Sulmuese dhe Brigada XXV Sulmuese. Divizioni V Sulmues u rreshtua në Korparmatën III Sulmuese. Që më 22 nëntor 1944, njësitë e caktuara për formimin e Divizionit V kishin marrë urdhër të hynin në kontakt me Shtabin e Forcave të Kosovës e të Rrafshit të Dukagjinit për ta goditur armikun në Sanxhak. Nga fundi i nëntorit dhe në ditët e para të dhjetorit 1944, njësitë dhe repartet e Divizionit V Sulmues marshuan në kushte të vështira, nga Kosova për në krahinën malore të Sanxhakut. Gjatë veprimeve në Kosovë efektivi i Divizioni V Sulmues arriti në 6500 partizanë e partizane. Forcat e Divizionit V Sulmues i dhanë goditje armikut, i cili përpiqej të qëndronte me çdo kusht, derisa të kalonin forcat e shumta të Gruparmatës “E”, që vazhdonte të tërhiqej nga jugu i Ballkanit. Luftimet më të përgjakshme u zhvilluan gjatë rrugëve Senicë-Miloshevdol-Priepol dhe Novi-Varosh-Priepol. Në këto luftime forcat e Divizionit V Sulmues, në bashkëveprim me njësitë e Divizionit XXXVII të Ushtrisë Nacionalçlirimtare Jugosllave, çliruan Senicën, Gorjegonjën, Miloshevdolin, Koçevon, Soponicën, Novi-Varoshin, Priepolen, Priboin dhe e ndoqën armikun me luftime deri në Bosnjë e Hercegovinë, duke i shkaktuar atij rreth 1500 të vrarë, të plagosur e robër. Në dhjetor 1945 forcat e Divizionit V Sulmues u kthyen në atdhe. Shtabi i Divizionit V Sulmues u drejtua nga komandant Rrahman Parllaku dhe komisar Ramiz Alia. Divizioni V Sulmues botonte organin “Buletini i lajmeve”. (Në fotografi: Shtabi i Divizioni V.)
Teksti: Fjalor enciklopedik shqiptar – Vëll. 1, Akademia e Shkencave e Shqipërisë, “Kristalina-KH”, Tiranë, 2008, faqe 493.
Fotografia: © Arkivi Qendror Shtetëror
Përpunim grafik: AHCF




