Në frontin e luftës me forcat serbe u vra Gursel Sylejmani, luftëtar i Ushtrisë Çlirimtare të Kosovës, dëshmor. Lindi në Sodovinë të Jerlive të Vitisë, në vitin 1961. Pasi kreu shkollën e mesme, ndoqi studimet në Shkollën e Lartë të Artit në Shkup. Pak kohë punoi si mësimdhënës i artit figurativ. Që në rini u përfshi në lëvizjen ilegale patriotike. U arrestua në dhjetor të vitit 1982 dhe u dënua me 8 vjet burg. Në shtator të vitit 1988 u burgos sërish. Nuk qëndroi gjatë në burg, por u torturua rëndë. Më 27 mars 1989 u burgos për herë të tretë dhe u mbajt për disa muaj në izolim, pa vendim gjyqi. Në fillim të viteve ’90 të shekullit XX në Ferizaj hapi atelienë e tij dhe u bë anëtar aktiv i Shoqatës së Artistëve të Ferizajt “Zef Kolombi”. Gjatë kësaj periudhe hapi një varg ekspozitash individuale dhe mori pjesë në ekspozita kolektive. Që nga fillimi ishte në kontakt me themeluesit e njësiteve të para të Ushtrisë Çlirimtare të Kosovës në rajonin e Ferizajt. Ishte ndër luftëtarët e parë në Zonën Operative të Nerodimes dhe ndër drejtuesit e luftës në këtë zonë. Më 2010 u dekorua nga Presidenti i Kosovës me medaljen “Adem Jashari”. (Në fotografi: Gursel Sylejmani)
Teksti: Fjalori enciklopedik i Kosovës – Vëll. II, Akademia e Shkencave dhe e Arteve e Kosovës, Prishtinë, 2018, faqe 1557–1558.
Fotografia: © https://www.facebook.com/duruntina/photos/
Përpunim grafik: AHCF




