Në lagjen “Tophana” të Vlorës, në bazën ilegale të Partisë Komuniste Shqiptare u vra Hajredin Bylyshi, pjesëmarrës i Luftës Antifashiste Nacionalçlirimtare, Hero i Popullit. Lindi në fshatin Tërbaç (Vlorë), në vitin 1920. Pushtimi fashist e gjeti nxënës në Shkollën Tregtare të Vlorës, ku u aktivizua në lëvizjen antifashiste të rinisë shkollore, ndaj u përjashtua nga shkolla për një kohë. Me themelimin e Partisë Komuniste Shqiptare përqafoi vijën e saj dhe u përfshi në radhët e organizatës së Rinisë Komuniste të Shkollës Tregtare (1942). Punoi për mobilizimin e të rinjve të qytetit e të fshatit në luftën çlirimtare. Shtëpia e tij në lagjen “Tophana” u kthye në një bazë të Partisë Komuniste Shqiptare e të teknikës së saj. Ra në sy të armikut dhe u detyrua të hidhej në ilegalitet (1942). Natën e 18 tetorit u gjend i rrethuar nga forca fashiste në bazën ilegale. Hajredin Bylyshi vendosi të çante rrethimin dhe përmes zjarrit të dendur të armikut u sul kundër fashistëve me revolverë e bomba dore, ku mbeti i vrarë. Akti i tij pati jehonë jo vetëm në Vlorë, por në gjithë Shqipërinë. (Në fotografi: Hajredin Bylyshi)
Teksti: Fjalor enciklopedik shqiptar – Vëll. 1, Akademia e Shkencave e Shqipërisë, “Kristalina-KH”, Tiranë, 2008, faqe 352.
Fotografia: © Xhoxhi L., arkivi vetjak.
Përpunim grafik: AHCF




