Në Unger (it. Lungro) të Kalabrisë u mblodh Kongresi II Arbëresh për gjuhën, kuvend i arbëreshëve të Italisë në fund të shekullit XIX, për t’i shërbyer bashkërendimit të punës së atdhetarëve për problemet e gjuhës shqipe dhe përpjekjeve për pavarësinë e Shqipërisë. Në kongres, përveç arbëreshëve, merrnin pjesë edhe disa përfaqësues nga shqiptarët me banim në Rumani e në Austri, si edhe miq të Shqipërisë nga vende të ndryshme. Në kongres u vendos të kërkohej nga qeveria italiane që të hapej një degë e gjuhës shqipe në Institutin Oriental të Napolit dhe të njihej zyrtarisht gjuha shqipe për arbëreshët. Kongresi vendosi gjithashtu të përkrahej puna e atdhetarëve shqiptarë për përhapjen e arsimit e të kulturës kombëtare në Shqipëri, duke bashkëpunuar për këtë me veprimtarët e Shqipërisë dhe të kolonive shqiptare në Rumani, Misir etj. (Në fotografi: Pamje nga Ungra (it. Lungro) të Kalabrisë.)
Teksti: Fjalor enciklopedik shqiptar – Vëll. 2, Akademia e Shkencave e Shqipërisë, “Kristalina-KH”, Tiranë, 2008, faqe 1251.
Fotografia: © https://sq.wikipedia.org/wiki/Ungra
Përpunim grafik: AHCF




