Në Tiranë u krijua Lidhja e Shkrimtarëve dhe Artistëve të Shqipërisë (LSHA), organizatë krijuesish që përmbledh shkrimtarë, kompozitorë dhe krijues të arteve figurative. Në fillim kishte 70 anëtarë, duke përfshirë edhe gjuhëtarë e gazetarë dhe një seksion të letrarëve të rinj. Në krye ishte me përbërje pluraliste, pastaj e orientoi veprimtarinë e saj sipas një kredoje të vetme ideologjike, duke u shpallur në mbrojtje të parimeve të realizmit socialist. Janë bërë tri kongrese të Lidhjes para viteve ’90 të shekullit XX dhe disa kuvende më pas. Kongresi I që u mbajt më 1957, shpalli bashkimin e Lidhjes së Shkrimtarëve dhe të Artistëve. Kongresi II u mbajt më 1969, Kongresi III zhvilloi punimet më 1984. Duke iu përmbajtur metodës së realizmit socialist, ky kongres theksoi nevojën e militantizmit, por dhe të një cilësie më të lartë në krijimtari. Pas viteve ’90 të shekullit XX u shpall pluralizmi në art, me Kuvendin I. Probleme të organizimit dhe të funksionimit të lidhjes ishin objekt diskutimi në kuvendet e tjera. Lidhja e Shkrimtarëve dhe Artistëve të Shqipërisë gjatë jetës së saj ka kryer një veprimtari të gjerë. Janë rrahur profesionalisht probleme të letërsisë dhe të arteve të tjera. Në diskutime krijuese, janë bërë analiza përgjithësuese të krijimtarisë artistike, për arritjet dhe mangësitë me karakter profesional dhe ideologjik të saj. Lidhja ka botuar gazetën letrare “Drita”, revistën “Nëntori”, si edhe një revistë në frëngjisht “Les lettres albanaises”. (Në fotografi: Godina e LSHA-së)
Teksti: Fjalor enciklopedik shqiptar – Vëll. 2, Akademia e Shkencave e Shqipërisë, “Kristalina-KH”, Tiranë, 2008, faqe 1510–1511.
Fotografia: © https://timeouttirana.al/tirana/ish-lidhja-e-shkrimtareve/
Përpunim grafik: AHCF




