Në fshatin Priskë të Tiranës u krijua trupa artistike profesioniste, Orkestra Frymore e Ushtrisë. Me urdhër të shtabit të Korparmatës I të Ushtrisë Nacionalçlirimtare Shqiptare, u grumbullua një grup muzikantësh partizanë dhe u formua orkestra frymore e këtij formacioni të madh partizan. Pas çlirimit, kjo orkestër u plotësua me të gjitha elementet e nevojshme. Në fillim u quajt Orkestra Frymore e Ushtrisë Kombëtare dhe më vonë Orkestra Frymore e Ushtrisë Popullore, kurse pas vitit 1992 u quajt Orkestër Frymore e Ushtrisë. Orkestra Frymore e Ushtrisë ka varësi operative nga Shtabi i Përgjithshëm i Ushtrisë, ndërsa trajtimi logjistik i saj realizohet nga Shtëpia Qendrore e Ushtrisë. (Në fotografi: Orkestra Frymore e Ushtrisë, 1950.)
Teksti: Fjalor enciklopedik shqiptar – Vëll. 3, Akademia e Shkencave e Shqipërisë, “Kristalina-KH”, Tiranë, 2009, faqe 1901–1902.
Fotografia: © Xhoxhi L., arkivi vetjak.
Përpunim grafik: AHCF




