U zhvillua “Lufta e Arbanës”, përplasja e parë e madhe me pushtuesit nazistë gjermanë në qarkun e Tiranës. Armiku përdori forcat e reparteve autonome të Korpusit XXI malor, të përforcuar dhe të mbështetur nga nënreparte speciale, gjithsej rreth 2000 ushtarë të zgjedhur. Ai synonte që me goditje të rrufeshme nga tri drejtime dhe në befasi, të kapte Shtabin e Përgjithshëm të Ushtrisë Nacionalçlirimtare Shqiptare, shtabin e grupit partizan të Pezës dhe të asgjësonte 270 partizanë të grumbulluar këtu për formimin e Brigadës III Sulmuese, që bashkë me ata të grupit partizan të Pezës, arrinin në 600 veta. Forcat partizane përdorën taktikën e luftimit me grupe të vogla prej 10–12 luftëtarësh, në shumë drejtime, nga lart poshtë dhe kundërsulmuan në shpinë të armikut. Pas 15 orë luftimesh të ashpra, armiku u detyrua të tërhiqej. Ai la në fushën e luftës mjaft të vrarë, përveç të plagosurve dhe një sasie të madhe armësh, municionesh dhe materialesh të tjera luftarake. Në luftën e Arbanës, Shtabi i Përgjithshëm organizoi drejtim të shpejtë e të sigurt të forcave partizane; manovrim të forcave jashtë rrethimit, duke e vënë armikun në rrethim; si dhe mbështetje të tyre nga fshatarësia e zonës. (Në fotografi: Harta e Bashkisë Tiranë.)
Teksti: Fjalor enciklopedik shqiptar – Vëll. 2, Akademia e Shkencave e Shqipërisë, “Kristalina-KH”, Tiranë, 2008, faqe 1544.
Fotografia: © https://en.m.wikipedia.org/wiki/File:Harta_e_Bashkis%C3%AB_Tiran%C3%AB.svg
Përpunim grafik: AHCF




