25 – 26 nëntor 1997
Në komunën e Skënderajt të Kosovës u zhvilluan “Luftimet e Rezallës së Re”, operacioni i parë i luftës ballore ndërmjet forcave të Ushtrisë Çlirimtare të Kosovës dhe forcave ushtarake policore serbe. Më 25.11.1997 forcat serbe, të kamufluara si grupe punëtorësh elektricistë, bënë përpjekje të depërtonin në njërën nga zonat e lira të Drenicës, në fshatin Vojnikë. Ky veprim u zbulua shpejt nga njësitet e Ushtrisë Çlirimtare të Kosovës, që bënë qëndresë të fortë, gjë që i detyroi forcat serbe të tërhiqeshin me humbje të ndjeshme në njerëz dhe teknikë luftarake. Të nesërmen, njësitet e Ushtrisë Çlirimtare të Kosovës të Zonës Operative të Drenicës, nën udhëheqjen e Adem Jasharit, organizuan mbrojtjen ballore duke zbatuar taktikën e befasisë me prita në një hapësirë të madhe. Lufta ballore zgjati 4 orë. Forcat serbe pësuan humbje të mëdha në teknikë luftarake, por edhe shumë të vrarë e të plagosur. (Në fotografi: Pamje nga fshati Rezallë e Re.)
Teksti: Fjalor enciklopedik shqiptar – Vëll. 2, Akademia e Shkencave e Shqipërisë, “Kristalina-KH”, Tiranë, 2008, faqe 1563.
Fotografia: © https://www.facebook.com/photo/?fbid=3559237697425562&set=pcb.3559238877425444
Përpunim grafik: AHCF




