U nda nga jeta Margaret Hasllëk (Hasluck), studiuese skoceze e etnokulturës shqiptare. Lindi në Moraishajër (Morayshire, Skoci), në vitin 1885. Kreu studimet në Universitetin e Aberdinit (1907), në degën klasike, pastaj studioi në Kembrixh, në degën juridike. Margaret Hasllëk erdhi në Shqipëri më 1926; gjatë viteve 1927–1939 banoi në Elbasan, prej nga kreu herë pas here udhëtime studimi në vise të Shqipërisë së Mesme e të Veriut. Është marrë veçanërisht me të drejtën dokesore shqiptare dhe me artin popullor, me dokumentim fotografik të objekteve të ndryshme të etnokulturës shqiptare, me mbledhje koleksionesh etnografike, disa prej të cilave i botoi, por gjithçka ua dhuroi muzeve të Anglisë, që interesoheshin për vlera të këtij lloji. Vepra e saj kryesore, që e bëri të njohur në fushën e etnologjisë shqiptare, është “The Unwritten Law in Albania”, Kembrixh, 1954 (“Ligji i pashkruar në Shqipëri”). Vepra është një mbledhje e sistemim i së drejtës dokesore në një mënyrë krejt të veçantë, me tema, por jo me kodifikim, me 25 probleme të radhitura. U sistemua e u redaktua përfundimisht për botim nga I. E. Alderson dhe J. H. Hutton. Margaret Hasllëk ka shkruar edhe një varg artikujsh në revistën e Shoqatës Antropologjike Mbretërore, ndër të tjera për ciganët në Shqipëri apo disa broshura anglisht-shqip për mësimin e gjuhëve. (Në fotografi: Margaret Hasllëk)
Teksti: Fjalor enciklopedik shqiptar – Vëll. 2, Akademia e Shkencave e Shqipërisë, “Kristalina-KH”, Tiranë, 2008, faqe 893.
Fotografia: © https://en.wikipedia.org/wiki/Margaret_Hasluck
Përpunim grafik: AHCF




