Në Zabllaç të Istogut lindi Menhend Dervishaj, luftëtar i Ushtrisë Çlirimtare të Kosovës, dëshmor. Në maj të vitit 1998 iu bashkua radhëve të Ushtrisë Çlirimtare të Kosovës në Zonën Operative të Dukagjinit, në Gllogjan. Mori pjesë në luftimet e zhvilluara në vijat e para të frontit në Voksh, pastaj në Junik, Gjocaj, Jasiq, Smolicë, Gllogjan e në fshatra të tjera të komunës së Deçanit dhe të Gjakovës. Pas ofensivës së shtatorit 1998, për disa muaj veproi në rajonin e Rugovës, ku kontribuoi në themelimin e Brigadës 136 të Zonës Operative të Dukagjinit. U angazhua në luftën e Ushtrisë Çlirimtare të Kosovës në rajonin e Istogut dhe për formimin e Brigadës 133 “Adrian Krasniqi”, e cila operonte në trekëndëshin Pejë-Klinë-Istog. Ishte zëvendëskomandant i njësitit special të Brigadës 133 “Adrian Krasniqi”. Ra dëshmor në luftimet e zhvilluara në Osdrim të Pejës, në vitin 1999. (Në fotografi: Menhend Dervishaj)
Teksti: Fjalori enciklopedik i Kosovës – Vëll. I, Akademia e Shkencave dhe e Arteve e Kosovës, Prishtinë, 2018, faqe 314.
Fotografia: © https://www.facebook.com/gazmendsyla039/photos/
Përpunim grafik: AHCF




