Tek lumi Lumbardh afër Prizrenit (Kosovë) u vra Mustafë Koka, mësues dhe veprimtar i lëvizjes antikomuniste. Lindi në fshatin Kokaj të Gjilanit, në vitin 1931. Në nëntor të vitit 1944, në moshën 17-vjeçare u bashkua me njësitet partizane të brigadave shqiptare dhe u vendos në Tiranë. Në fund të vitit 1947 kthehet në Kosovë dhe fillon punën si mësues. Punoi në Uglar, Lubishtë dhe Remnik. Meqenëse OZNA (Shërbimi Informativ i RSF të Jugosllavisë) e përcillte veprimtarinë e tij, në qershor të vitit 1951 doli në mal dhe iu bashkua grupit të Hasan Remnikut. Një kohë qëndroi i fshehur në fshatin Lubishtë të Vitisë, pastaj në fshatrat Rahovicë dhe Strezoc të Preshevës. Në vjeshtë të vitit 1951, vendosi të ikte për në Shqipëri. Më 1951, duke kaluar lumin Lumbardh të Prizrenit ranë në pritë të forcave serbe, me ç’rast vritet tërë grupi i Hasan Alisë, në mesin e të cilëve gjendej edhe Mustafë Koka, bashkë me gruan e tij. Pas vrasjes, trupat e tyre ekspozohen në Viti dhe në Gjilan. Varri nuk i dihet. (Në fotografi: Mustafë Koka)
Teksti: Fjalori enciklopedik i Kosovës – Vëll. I, Akademia e Shkencave dhe e Arteve e Kosovës, Prishtinë, 2018, faqe 813–814.
Fotografia: © https://sq.wikipedia.org/wiki/Mustaf%C3%AB_Koka
Përpunim grafik: AHCF




