Në Mbretërinë e Bashkuar u nda nga jeta Rixhnald Hibert (Sir Reginald Hibbert), oficer britanik, historian. Lindi në Hertfordshire, në vitin 1922. U arsimua në kolegjin “Queen Elizabeth” në Barnet dhe në kolegjin Worcester, Oksford, ku dhe përfundoi shkallën e parë të studimeve pasuniversitare për histori (1946). Gjatë Luftës II Botërore shërbeu si oficer ndërlidhës britanik në Misionin Stables të Ekzekutivit të Veprimeve Speciale (SOE) në Shqipërinë e Veriut, ku u hodh me parashutë në dhjetor 1943 për të ndihmuar dhe për të mbajtur kontakte me luftëtarët e rezistencës shqiptare. Pas luftës filloi karrierën diplomatike, që e përfundoi si ambasador i Mbretërisë së Bashkuar në Francë (1979–1982). Libri i tij “Albania’s National Liberation Struggle: The Bitter Victory”, Londër 1991 (“Fitorja e hidhur. Lufta Nacionalçlirimtare e Shqipërisë”, Tiranë 1993) vështrohet si një histori objektive e asaj periudhe, e shkruar prej një njeriu që i ka parë ngjarjet nga brenda. (Në fotografi: Rixhnald Hibert)
Teksti: Fjalor enciklopedik shqiptar – Vëll. 2, Akademia e Shkencave e Shqipërisë, “Kristalina-KH”, Tiranë, 2008, faqe 911.
Fotografia: © https://www.ditchley.com/directors/sir-reginald-hibbert
Përpunim grafik: AHCF




