Më 8 prill 1932, në Follorinë të Greqisë u nda nga jeta Sotir Peci, veprimtar i Rilindjes Kombëtare dhe i periudhës së Pavarësisë, figurë e shquar e arsimit kombëtar, Mësues i Popullit. Botoi në Boston (SHBA) gazetën “Kombi” (1906–1908). Së bashku me Petro Nini Luarasin dhe Fan Nolin luajtën rol për formimin e shoqërisë “Besa-besën” në Boston, më 1907, dhe shoqërisë “Lidhja” në Sen Lui (Saint Louis) etj. Mori pjesë në Kongresin e Manastirit (1908). Me hapjen e Shkollës Normale në Elbasan (1909), u emërua mësues i matematikës dhe i shkencave të natyrës. Drejtoi Mësonjëtoren Shqipe të Korçës (1911–1912). Ishte anëtar i Partisë Kombëtare (1914–1920), që u krijua në Shkodër me degë në qytetet kryesore të vendit, për të kundërshtuar planet e Fuqive të Mëdha dhe të fqinjëve për copëtimin e Shqipërisë. Mori pjesë si delegat në mbledhjen e Kongresit Kombëtar të Lushnjës (1920) dhe në qeverinë që u formua prej tij, u zgjodh ministër i Arsimit. Për pak vite ishte anëtar i Këshillit të Lartë. Pas shtypjes së Revolucionit Demokratik të Qershorit 1924, mërgoi jashtë vendit. Sotir Peci dha ndihmesë për problemet e arsimit, si publicist, autor tekstesh shkollore, pjesëmarrës në Kongreset e Arsimit më 1920 dhe më 1922 etj. (Në fotografi: Sotir Peci)
Teksti: Fjalor enciklopedik shqiptar – Vëll. 3, Akademia e Shkencave e Shqipërisë, “Kristalina-KH”, Tiranë, 2009, faqe 1966.
Fotografia: © https://sq.wikipedia.org/wiki/Sotir_Peci
Përpunim grafik: AHCF




