Në Gosë të Kavajës u pushkatua Kristaq Tutulani, veprimtar antifashist dhe pjesëmarrës në Luftën Antifashiste Nacionalçlirimtare, poet dhe prozator, dëshmor. Lindi në Berat, në vitin 1919. Në vendlindje ndoqi shollën qytetëse dhe filloi shkollën e mesme. Vijoi shkollimin në Liceun Kombëtar (francez) të Korçës, nga ku u përjashtua në vitin 1940, për pjesëmarrje në demonstratën antifashiste të 28 nëntorit 1939 dhe për veprimtari antifashiste në shkollë. Vitin e fundit e kreu në gjimnazin e Shkodrës, ku mori maturën. Nisi studimet për drejtësi në Universitetin e Firences, por i ndërpreu dhe u kthye në atdhe për të marrë pjesë në Lëvizjen Antifashiste Nacionalçlirimtare. Në vitin 1942 u bë anëtar i Partisë Komuniste Shqiptare; në fillim të vitit 1943 u zgjodh anëtar i Komitetit Qarkor të Partisë Komuniste Shqiptare për Beratin, i ngarkuar për agjitacionin e propagandën dhe për punën me intelektualët. Kristaq Tutulani qe një ndër veprimtarët kryesor të lëvizjes antifashiste e komuniste në qytetin dhe në qarkun e Beratit. Zhvilloi një veprimtari të gjerë propaganduese dhe organizative për mobilizimin e popullit në Luftën Antifashiste Nacionalçlirimtare. Veprimtaria e tij është pasqyruar me hollësi në ditarin që ka mbajtur gjatë 6-mujorit të parë të vitit 1943 për punën e tij dhe për veprimtarinë e Qarkorit të Partisë Komuniste për Beratin. Kristaq Tutulani ka lënë dhe një krijimtari letrare, në poezi e në prozë, me tematikë të gjerë, ku mbizotërojnë tema atdhetare e sociale. Shkroi edhe kritikë letrare e studime shkencore. Ka përkthyer shqip vepra nga letërsia përparimtare botërore etj. Krijimtaria letrare e tij është përmbledhur në vëllimin “Shkrime të zgjedhura” (1966). I ndjekur nga fashistët, u kap në befasi bashkë me të motrën, Margarita Tutulanin. Pasi e torturuan disa ditë në burgun e Beratit, fashistët e nisën për në Tiranë, por e pushkatuan gjatë rrugës, më 1943. (Në fotografi: Kristaq Tutulani)
Teksti: Fjalor enciklopedik shqiptar – Vëll. 3, Akademia e Shkencave e Shqipërisë, “Kristalina-KH”, Tiranë, 2009, faqe 2769.
Fotografia: © http://www.veteraniobvl.org/html/veterani/tutulani.php
Përpunim grafik: AHCF




