Pjetër Arbnori

Lexo ngjarje:

Në Napoli (Itali) u nda nga jeta Pjetër Arbnori, kryetar i Kuvendit të Shqipërisë në vitet 1992–1997, veprimtar politik, shkrimtar, Mësues i Popullit. Lindi në Durrës, në vitin 1935. Pasi kreu shkollën e mesme (1953), nisi punë si mësues në Shkodër e në Dukagjin, por në vitin 1958 u pushua për arsye politike dhe u detyrua të punonte si punëtor. Ishte ndër nismëtarët për themelimin e një grupi ilegal socialdemokrat, që u zbulua nga Sigurimi i Shtetit. Në vitin 1961, u arrestua dhe u dënua me vdekje. Më vonë, dënimi iu kthye në 25 vjet. Në vitin 1979 u ridënua me 10 vite të tjera për veprimtarinë letrare. U lirua nga burgu pas 28 vjetësh, në gusht të vitit 1989. Në janar 1990, mori pjesë në demonstratën antikomuniste, në Shkodër. Po atë vit ishte ndër themeluesit e Partisë Demokratike të Shqipërisë dhe ndër veprimtarët e lëvizjes për rrëzimin e diktaturës komuniste. Si deputet në vitet 1991–2001 dhe Kryetar i Kuvendit ka luajtur një rol me rëndësi për konsolidimin e demokracisë dhe për vendosjen e marrëdhënieve të bashkëpunimit ndërparlamentar me shumë vende. Si shkrimtar, ka lëvruar romanin dhe novelën. Vepra e tij letrare prej disa vëllimesh u krijua në pjesën më të madhe në vitet e vështira të burgut të Burrelit, po u botua vetëm pas përmbysjes së diktaturës. Ka botuar romanet “Mugujt e mesjetës” (1993), “E bardha dhe e zeza” (1995), “Shtëpia e mbetur përgjysmë” (1997), “Vorbulla” (1997), “Brajtoni, një vetëtimë e largët” (2000); novelat “Kur dynden vikingët” (1993), “10300 ditë e net në burgjet komuniste” (2003) etj. Ka qenë anëtar i Kryesisë së Lidhjes së Shkrimtarëve dhe Artistëve të Shqipërisë. Mbante dekoratën “Oficer i Madh i Urdhrit të Plejadës” dhe urdhrat: “Nënë Tereza”, “Gjergj Kastrioti Skënderbeu”, “Pishtar i Demokracisë”. (Në fotografi: Pjetër Arbnori)

Teksti: Fjalor enciklopedik shqiptar – Vëll. 1, Akademia e Shkencave e Shqipërisë, “Kristalina-KH”, Tiranë, 2008, faqe 92–93.

Fotografia: © https://en.wikipedia.org/wiki/Pjet%C3%ABr_Arbnori

Përpunim grafik: AHCF 

 

- Advertisement -spot_img

LEAVE A REPLY

Please enter your comment!
Please enter your name here

- Marketing -spot_img
Të fundit

Luftimet e Luzhnicës

Në Kosovë u zhvilluan “Luftimet e Luzhnicës” kundër forcave serbe në Bajrak të Luzhnicës (Kosovë).
- Marketing -spot_img

Lexo më shumë

- Advertisement -spot_img