U vra nga forcat policore në një përpjekje te përroska e Bajincës, Avdyl Dura, veprimtar i çështjes kombëtare. Emri i tij i plotë është Avdyl Zejnulla Zenuni. Lindi në Duraj të Kaçanikut, më 1893. Më 1926 u zgjodh kryetar i komunës së Sllatinës së Lepencit, pozitë që e mbajti deri më 1937. Gjatë Luftës së Dytë Botërore u angazhua kundër pushtetit fashist bullgar. U zgjodh komandant i vullnetarëve të Kaçanikut (1941–1944). Në fillim të vitit 1945, si i mobilizuar, u përfshi në Brigadën VII të Kosovës që u dërgua të luftonte në Vojvodinë, në Frontin e Sremit. Pas kthimit arrestohet nga UDB-ja (Shërbimi Sekret Jugosllav) dhe dërgohet në burgun e Ferizajt (korrik 1945). Në nëntor të atij viti u arratis nga burgu, por pas një viti u arrestua sërish, së bashku me gjithë familjen e tij prej 25 anëtarësh (maj, 1946), që u mbajtën në burg gati për tre vjet. Më 1949 u vra te përroska e Bajincës. Trupi i tij u ekspozua më pas në qendër të qytetit të Ferizajt. (Në fotografi: Avdyl Dura)
Teksti: Fjalori enciklopedik i Kosovës – Vëll. I, Akademia e Shkencave dhe e Arteve e Kosovës, Prishtinë, 2018, faqe 363.
Fotografia: © https://sq.wikipedia.org/wiki/Avdyl_Dura
Përpunim grafik: AHCF




