Në Shkodër, u nda nga jeta Gegë Marubi, fotograf, atdhetar. Lindi në Shkodër, më 1907, në familjen Kodheli; ishte njëri nga dy djemtë dhe tri vajzat e fotografit Kel. Në moshën 17- vjeçare regjistrohet në shkollën e parë të kinematografisë dhe fotografisë në botë, “Lumiere & Joungla” të Parisit, të hapur nga Vëllezërit Lumjere. Pasi studioi për dy vjet në Francë, në vitin 1927 Gega kthehet në Shkodër me njohuri të plota teorike dhe praktike për fotografinë, por edhe me ëndrra e projekte mbi të ardhmen e “Foto Studio Marubi”. Fillon të bëjë ndryshime në ndriçimin e ateliesë dhe iu përkushtohet sidomos fotoportreteve brenda saj. Gega fillon të eksperimentojë për gjithçka kishte mësuar në shkollë. E nis me solarizimin, që edhe në Francë ishte gjë e re; më pas vazhdon me fotografimet e peizazheve me filtra, ku tregohet mjeshtër i vërtetë dhe pionier në këtë lëmë për fotografinë shqiptare. Rreth vitit 1930, ai realizon për herë të parë foto me reliev dhe me rreze infra të kuqe në Tiranë e gjetiu. Më 1936, në panairin “Fiera del Levante” të Barit (Itali), Gegë Marubi vlerësohet me “Fletë nderi”. Më 1937, Gega bashkë me fotografët më të mirë të kohës, si Ymer Bali, Mandi Koçi, Dedë Jakova, Kol Maca, Vasil Ristani, Ali Bakiu, Shan Pici etj., fotografojnë kremtimet e 25-vjetorit të Shpalljes së Pavarësisë, në Tiranë. Po atë vit, me njëfarë guximi prej artisti, Gega hap në Tiranë një ekspozitë vetjake me punime fotografike në shumë zhanre, duke përdorur pllakat autokrome të Lymjerëve. Historikisht, kjo është dhe ekspozita e parë fotografike në Shqipëri. Në shkurt të vitit 1938, realizon foton “Katër shkrimtarët e mëdhenj”, ku paraqiten Fishta, Asdreni, Koliqi dhe Poradeci, njerëz të shquar të letrave shqipe. Fotografia është realizuar në studio dhe është mjaft e studiuar, si nga vendosja simbolike e personave, ashtu dhe nga konturimi grafik dhe shpërndarja tonale e bardhezisë. Po atë vit, ai merr pjesë me fotografi në Panairin e Selanikut (Greqi), ku dhe aty puna e tij çmohet; Gega nderohet me “Medalje ari”. Pas 1944, vijon si fotograf privat, veprimtari që zgjati deri në vitin 1949, kur me vendim qeverie u shtetëzuan të gjitha studiot fotografike private. Më pas Gega thuajse nuk fotografon fare, por ruan dhe mirëmban fondin e madh të paraardhësve. Nga fundi i jetës, në vitin 1984, Gegë Marubi i dorëzoi në mirëbesim arkivistes së tij besnike të fototekës një zarf me dhjetë foto (negativë në celuloid) nudosh femërore të realizuara në qytetin e Shkodrës gjatë periudhës 1927–1940. Edhe ai, si gjithë fotografët e të gjithë kohërave ka lëvruar edhe zhanrin e ëmbël të nudos, me gjithë gjendjen e ulët të emancipimit të femrës në vend. Ai ndoshta donte të tregonte se, në fotografi, shqiptarët nuk janë shumë prapa vendeve të tjera dhe kanë lëvruar çdo zhanër të saj. (Në fotografi: Gegë Marubi)
Teksti: https://www.albertvataj.com/
Fotografia: © https://en.wikipedia.org/wiki/Geg_Marubi
Përpunim grafik: AHCF




