U vra në luftë kundër pushtuesve fashistë italianë, në Pojskë të Pogradecit, Reshit Çollaku, pjesëmarrës i Luftës Antifashiste Nacionalçlirimtare, Hero i Popullit. Lindi në Pogradec, në vitin 1914. Si student në Akademinë Ushtarake në Itali, nuk pranoi të bënte betimin për besnikëri ndaj pushtuesit fashist dhe u arrestua e u mbajt i burgosur. U kthye në atdhe më 1941, ku përqafoi programin e Partisë Komuniste Shqiptare për luftë kundër pushtuesit fashist dhe bashkëpunëtorëve të tij. Zhvilloi veprimtari të gjerë antifashiste, veçanërisht në krahinën e Mokrës (Pogradec). Si komandant i çetës partizane të Mokrës (1942), më vonë komandant i batalionit partizan të Mokrës (1943), drejtoi shumë aksione luftarake të rëndësishme në rrethin e Pogradecit. (Në fotografi: Reshit Çollaku)
Teksti: Fjalor enciklopedik shqiptar – Vëll. 1, Akademia e Shkencave e Shqipërisë, “Kristalina-KH”, Tiranë, 2008, faqe 400.
Fotografia: © Xhoxhi L., arkivi vetjak.
Përpunim grafik: AHCF




