Ra në luftë kundër nazistëve gjermanë gjatë mësymjes së përgjithshme armike në Gurin e Prerë (Opar), Xheladin Beqiri (1908–1944), Hero i Popullit. Lindi në Gjilan (Kosovë). Punëtor krahu i shumëvuajtur, iu përgjigj thirrjes së Partisë Komuniste Shqiptare dhe doli partizan në çetën e Kurveleshit (1942); u caktua komandant në çetën “Hajredin Tremishti” (1943). Anëtar i Partisë Komuniste Shqiptare në tetor 1942. Propagandoi Luftën Antifashiste Nacionalçlirimtare në krahinën e Tepelenës, të Gjirokastrës, të Delvinës. Me formimin e Brigadës I Sulmuese u caktua zv.komandant batalioni (1943) dhe më vonë komandant i batalionit V (1944). Mori pjesë si delegat në Kongresin e Përmetit (1944). U dallua për trimëri në beteja dhe si një ndër komandantët më të zotë. (Në fotografi: Xheladin Beqiri)
Teksti: Fjalor enciklopedik shqiptar – Vëll. 1, Akademia e Shkencave e Shqipërisë, “Kristalina-KH”, Tiranë, 2008, faqe 210.
Fotografia: © Xhoxhi L., arkivi vetjak
Përpunim grafik: AHCF




