Në Shkodër u vra Adem Boletini (1895–1943). Luftëtar i lëvizjes çlirimtare, oficer karriere, djali i tretë i Isa Boletinit. Lindi në vitin 1895. Që në moshën 16-vjeçare e shoqëroi të atin në udhëtimin historik për në Vlorë. Në Vjenë filloi studimet në akademinë ushtarake, të cilat i përfundoi në Modena të Italisë. Në Shqipëri shërbeu si ushtarak karriere. Ishte komandant dhe pedagog i Shkollës Ushtarake të Oficerëve në Tiranë dhe Durrës. Në prill të vitit 1941, pas kapitullimi të Jugosllavisë, u kthye në Kosovë. U angazhua në koordinimin e luftimeve të vullnetarëve të udhëhequr nga prijësit e Shalës së Bajgorës, kundër sulmeve të forcave serbe në kufirin verior. U vra në vitin 1943, në një atentat të përgatitur nga guerilët partizanë në Shkodër. Në vitin 1946 pushteti komunist i Shqipërisë burgosi edhe bashkëshorten e tij, duke mos kursyer më pas as dy djemtë e tij. Pas demokratizimit të vendit, u dekorua nga presidenti i Shqipërisë me Urdhrin “Për veprimtari patriotike” të Klasit të Parë. (Në fotografi: Shtatorja e Isa Boletinit, Shkodër)
Teksti: Fjalor enciklopedik i Kosovës – Vëll. I, Akademia e Shkencave dhe e Arteve e Kosovës, Prishtinë, 2018, faqe 209.
Fotografia: © https://www.fotocommunity.de/photo/isa-boletini-ein-echt-cooler-typ-aus-a-dag-berntsen/6350969
Përpunim grafik: AHCF




