Naim Frashëri

Lexo ngjarje:

Në Frashër të Dangëllisë lindi Naim Frashëri (1846–1900), poet, mendimtar iluminist, veprimtar i arsimit kombëtar dhe i kulturës së Rilindjes Kombëtare. Mësimet e para i mori në vendlindje, ku nisi të mësonte persishten pranë teqesë bektashiane. Më 1865 familja e tij u shpërngul në Janinë, ku së bashku me të vëllanë, Samiun, ndoqën gjimnazin “Zosimea”, që e mbaruan më 1869. Pas studimeve punoi për pak kohë në Stamboll si nëpunës i vogël në zyrën e shtypit (1870), por iu shfaq tuberkulozi dhe u kthye në vendlindje për klimë të mirë. Naim Frashëri mori pjesë në ngjarjet e Lidhjes Shqiptare të Prizrenit; ishte në krah të vëllait të madh, Abdylit, në mbledhjen e degëve të Jugut të Lidhjes Shqiptare, në Frashër (1878). Ndikimi i fuqishëm i këtyre ngjarjeve dhe i veprimtarisë atdhetare e kulturore të Shoqërisë së Stambollit, në krye të së cilës ishte Samiu, e përfshinë tërësisht në lëvizjen kombëtare. Ai iu kushtua punës për zgjimin kombëtar përmes lëvrimit të gjuhës shqipe e të letërsisë kombëtare dhe për ngritjen e shkollës shqipe e pajisjen e saj me tekste mësimore në gjuhën amtare. Më 1882 u vendos përfundimisht në Stamboll, ku punoi fillimisht si anëtar e më pas kryetar i Komisionit të Botimeve pranë Ministrisë së Arsimit. Ishte një ndër themeluesit kryesorë të revistës “Drita” (më pas “Dituria”), ku botoi krijimet e para të tij, poezi, proza diturore e vjersha për shkollat e para, si dhe shqipërime. Me përkushtimin dhe veprimtarinë e tij të dendur atdhetare e kulturore Naim Frashëri u bë figura qendrore e Rilindjes Kombëtare. Për më pak se njëzet vjet botoi një krijimtari të gjerë në gjuhën shqipe dhe në gjuhë të tjera, poema, përmbledhje lirikash, prozë artistike, si dhe vjersha e tekste për shkollat dhe përkthime. Në poemën e parë në shqip me titull “Shqipëria” (1880) shpalli idetë poetike atdhetare, që u bënë lajtmotivi i veprës së tij dhe i gjithë poezisë së Rilindjes. Veprat e tij më të shquara poetike janë poema lirike “Bagëti e bujqësija” (1886), përmbledhja me lirika atdhetare e filozofike “Luletë e verësë” (1890), poemat epike “Istori e Skënderbeut” (1898). Për shkollat botoi përmbledhjen me vjersha “Vjersha për mësonjëtoret të para” (1886), librin në dy pjesë me copa këndimi për mësonjëtoret “E këndimit çunavet këndonjëtoreja” (1886), tekstet diturore “Istori e përgjithshme për mësonjëtoret të para” (1886), “Istori e Shqipërisë” (1899). Naim Frashëri e lëvroi shqipen në rrafshin poetik e dituror, duke shfaqur një forcë të veçantë krijuese gjuhësore. Vepra e tij luajti një rol themelor për përpunimin e shqipes së re letrare, të cilën e shkroi të pastër, me një pasuri të veçantë fjalori e sidomos frazeologjike duke u mbështetur kryesisht në gjuhën e gjallë dhe në gjedhen e ligjërimit popullor, e pasuroi atë sidomos me fjalë nga sfera diturore dhe e kulturës, që i qëndruan kohës, duke i dhënë shqipes fytyrën e gjuhës moderne të kulturës moderne të shqiptarëve. Vepra e Naim Frashërit themeloi një traditë të qëndrueshme dhe pati ndikim të madh, jo vetëm te shkrimtarët bashkëkohës me të, por edhe më pas. Ajo është botuar dhe vazhdon të ribotohet gjerësisht, është përfshirë në tekstet shkollore dhe është bërë objekt studimesh shkencore. Emrin e Naim Frashërit e mbajnë shkolla e institucione të ndryshme në botën shqiptare si dhe urdhri i lartë që u jepet në Shqipëri njerëzve të shquar të kulturës, artit dhe shkencës. (Në fotografi: Naim Frashëri)

Teksti: Fjalor enciklopedik shqiptar – Vëll. 1, Akademia e Shkencave e Shqipërisë, “Kristalina-KH”, Tiranë, 2008, faqe 726–728.

Fotografia: © https://sq.wikipedia.org/wiki/Naim_Frash%C3%ABri

Përpunim grafik: AHCF

 

- Advertisement -spot_img

LEAVE A REPLY

Please enter your comment!
Please enter your name here

- Marketing -spot_img
Të fundit

Rasim Rrahman Kiçina

Në dalje të Negrocit (komuna e Drenasit), u vra Rasim Rrahman Kiçina, luftëtar i Ushtrisë Çlirimtare të Kosovës (UÇK), Hero i Kosovës.
- Marketing -spot_img

Lexo më shumë

- Advertisement -spot_img