Në Gjakovë të Kosovës lindi Esat Stavileci, jurist, profesor, akademik. Në vendlindje kreu shkollën e mesme. Studimet universitare i kreu në Fakultetin Juridik të Prishtinës, ndërsa studimet pasuniversitare në Fakultetin Juridik në Zagreb dhe në Fakultetin Ndërkombëtar të së drejtës së krahasuar në Strasburg (Francë). Pedagog në Fakultetin Juridik të Prishtinës, shef i katedrës të së drejtës administrative, prodekan i Fakultetit të Drejtësisë në Universitetin e Prishtinës, kryeredaktor i revistave shkencore “Përparimi” dhe “E drejta – Pravo”. Autor i shumë librave dhe studimeve në fushat e së drejtës kushtetuese, të sistemeve politike të krahasuara, të administrimit publik, të gjuhës dhe të çështjes kombëtare, të metodologjisë së shkencave shoqërore e juridike dhe të terminologjisë juridike, ndër të cilat: “Çështja shqiptare në udhëkryqin e zgjidhjeve paqësore” (shqip e anglisht), 1995; “Hyrje në shkencat administrative”, 1997; “Në mbrojtje të pavarësisë së Kosovës”, 1998; “Kosova nën administrim ndërkombëtar”, 2000 etj. Pozita juridiko-kushtetuese e Kosovës ka qenë një nga temat kryesore në shkrimet e tij; për këtë çështje ka botuar disa libra në shqip e në anglisht, duke dhënë ndihmesë për sensibilizimin e çështjes së Kosovës dhe në përgjithësi të shqiptarëve në ish-Jugosllavi. Fitues i Çmimit të Dhjetorit për rezultate të shquara në shkencë. U nda nga jeta në Gjakovë, në vitin 2015. (Në fotografi: Esat Stavileci)
Teksti: Fjalor enciklopedik shqiptar – Vëll. 3, Akademia e Shkencave e Shqipërisë, “Kristalina-KH”, Tiranë, 2009, faqe 2395.
Fotografia: © https://kosovapress.com/en/tete-vjet-nga-vdekja-e-akademik-esat-stavileci/
Përpunim grafik: AHCF




