Gjatë luftimeve në Jezerc (Ferizaj) u vra Nazim Terziu, luftëtar i Ushtrisë Çlirimtare të Kosovës, dëshmor. Lindi në fshatin Sllatinë të Lepencit, në vitin 1977. Në maj të vitit 1998 iu bashkua njësitit të Ushtrisë Çlirimtare të Kosovës në Kaçanik, ndërsa dy muaj më vonë shkoi në Shqipëri për stërvitje ushtarake dhe për t’u pajisur me armë. Në fillim të shtatorit u kthye në Kosovë, në njësitin e Kaçanikut në Jezerc. Më 24 shtator 1998 forca të shumta ushtarake dhe policore serbe ndërmorën një ofensivë të madhe kundër Ushtrisë Çlirimtare të Kosovës në Zonën Operative të Nerodimes. Më 28 shtator 1998, nga Nerodimja ushtria serbe filloi depërtimin për Jezerc. Luftimet u zhvilluan ballë për ballë dhe në këtë betejë ranë disa luftëtarë të Ushtrisë Çlirimtare të Kosovës, përfshirë edhe Nazim Terziun. (Në fotografi: Nazim Terziu)
Teksti: Fjalori enciklopedik i Kosovës – Vëll. II, Akademia e Shkencave dhe e Arteve e Kosovës, Prishtinë, 2018, faqe 1657.
Fotografia: © https://www.facebook.com/photo?fbid=2083846748465552&set=pcb.2083847255132168
Përpunim grafik: AHCF




