U nda nga jeta Vinçenc Stratigo, poet arbëresh. Lindi në Ungër (Lungro) të krahinës së Kozencës, në vitin 1822. Mësoi në Kolegjin e Shën Adrianit në Shën-Mitër (Kalabri), ku ishte nxënës i Jeronim de Radës. Si garibaldian, mori pjesë gjallërisht në lëvizjen çlirimtare italiane. Vjershat e tij në gjuhën shqipe “Merori” (Bersalieri) dhe “Proletari” (Vajtim për vdekjen e atij që nuk ka), sido që nuk u botuan me gjallje të poetit, tregonin se poezia arbëreshe po bëhej e ndjeshme ndaj notave të protestës së hapur kundër pabarazisë shoqërore. Vjersha të tjera të Vinçenc Stratigos trajtonin motivin e dashurisë. Disa prej tyre u bënë popullore dhe këndohen edhe sot. Në vjershën italisht “L’Albanese” (“Shqiptari”) Vinçenc Stratigo evokon historinë e Shqipërisë dhe virtytet e shqiptarëve. (Në fotografi: Vinçenc Stratigo)
Teksti: Fjalor enciklopedik shqiptar – Vëll. 3, Akademia e Shkencave e Shqipërisë, “Kristalina-KH”, Tiranë, 2009, faqe 2402.
Fotografia: © https://www.provincia.cs.it/portale/portaltemplates/view/view.cfm?3813
Përpunim grafik: AHCF




