U nda nga jeta Faslli Haliti, poet. Lindi në Plug të Lushnjës, në vitin 1935. Kreu Liceun Artistik “Jordan Misja” për pikturë dhe studimet e larta në degën e gjuhës shqipe e të letërsisë në Universitetin e Tiranës (1977). Punoi në Lushnjë si mësues i vizatimit e i letërsisë (1961–1973). Për “gabime ideore” në krijimtarinë poetike u dërgua për “riedukim” si punëtor (1973–1983). Ka botuar vëllimet “Sot” (1969), “Mesazhe fushe” (1984), “S’di të hesht” (1997), “Kaq” (2005), “Kujt t’i besoj” (2006) etj., si dhe libra me poezi për fëmijë. Ka stil origjinal, ku gërshetohen natyrshëm ligjërimi metaforik me problematikën e drejtpërdrejtë sociale. Faslli Haliti priret drejt një poezie sintetike me situata të larmishme narrative, që në shumë raste synojnë të përcjellin artistikisht kumte morale e filozofike, në trajtë aforizmash poetike. Është marrë dhe me përkthime nga poezia ruse, spanjolle e italiane. Ka qenë deputet në Kuvendin e Shqipërisë në vitet 1998–2001. (Në fotografi: Faslli Haliti)
Teksti: Fjalor enciklopedik shqiptar – Vëll. 2, Akademia e Shkencave e Shqipërisë, “Kristalina-KH”, Tiranë, 2008, faqe 878.
Fotografia: © https://www.balkanweb.com/i-perndjekur-nga-regjimi-ish-deputet-e-nderi-i-qarkut-fier-shuhet-ne-moshen-85-vjecare-shkrimtari-faslli-haliti/
Përpunim grafik: AHCF




