Abdyl Frashëri

Lexo ngjarje:

Në Stamboll u nda nga jeta Abdyl Frashëri, ideator dhe njëri nga udhëheqësit kryesor të Lidhjes Shqiptare të Prizrenit, politikan, diplomat. Lindi në fshatin Frashër, kryeqendër e krahinës së Dangëllisë në Përmet, në vitin 1839. Ishte i biri i Halid Frashërit, vëllai i madh i Naim dhe Sami Frashërit. Fëmijërinë dhe rininë e hershme e kaloi në fshatin e lindjes, deri në moshën 18-vjeçare, kur u vendos në Janinë. Fliste turqisht, greqisht, frëngjisht, por njihte edhe arabishten e persishten. U shqua si personalitet politik qysh më 1877, në kohën e Krizës Lindore. Si kryetar i Komitetit Shqiptar të Janinës, që u formua po atë vit, hartoi projektin e Shpalljes së Pavarësisë të Shqipërisë, me anë të një kryengritjeje çlirimtare antiosmane. Abdyl Frashëri zhvilloi bisedime për një aleancë të mundshme me përfaqësuesit e Greqisë në korrik dhe në dhjetor 1877. Bisedimet dështuan, meqë Athina nuk e pranoi idenë e një Shqipërie të pavarur në kufijtë e saj etnikë. Në fund të vitit 1877, si deputet i Janinës në parlamentin e dytë osman, u zgjodh kryetar i Komitetit Qendror për Mbrojtjen e të Drejtave të Kombësisë Shqiptare, që u formua në Stamboll (Komiteti i Stambollit). Si kryetar i tij, ai dha kontribut të rëndësishëm në përpunimin e platformës politike që adoptoi lëvizja kombëtare pas fitores ruse mbi Perandorinë Osmane dhe nënshkrimit të Traktatit të Shën Stefanit (1878). Sipas ideve të Abdyl Frashërit, në kushtet e krijuara nga prirjet ekspansioniste të Rusisë, zgjidhja më e përshtatshme ishte krijimi i një shteti autonom shqiptar nën sovranitetin e sulltanit. Ai mendonte se një opsion i mundshëm do të ishte edhe krijimi i një vilajeti të bashkuar shqiptar, në kuadrin e Perandorisë Osmane, si fazë kalimtare deri në pavarësinë e plotë. Ishte pjesëmarrës aktiv në themelimin e Lidhjes Shqiptare të Prizrenit (1878) dhe u shqua si udhëheqës, organizator, diplomat dhe aktivist i saj. Veprimtarinë e tij kryesore e zhvilloi në viset e vilajetit të Janinës dhe të Kosovës, ku mori pjesë pothuajse në të gjitha kuvendet kryesore që u organizuan nga Këshilli i Përgjithshëm i Lidhjes Shqiptare, ose nga komitetet ndërkrahinore të saj. Udhëhoqi krahun autonomist të lëvizjes. Në Kuvendin themelues të Lidhjes së Prizrenit u zgjodh kryetar i Komisionit të Punëve të Jashtme. Ai përfaqësoi Toskërinë në Kuvendin e Parë të Dibrës (1 nëntor 1878), ku u miratua rezoluta me të cilën kërkohej zyrtarisht nga Porta e Lartë krijimi i vilajetit të bashkuar autonom të Shqipërisë. Abdyl Frashëri ishte organizatori kryesor i Kuvendit të Prevezës (janar 1879), i cili arriti ta pengonte aneksimin e Çamërisë nga Greqia. Në pranverën e vitit 1879, bashkë me Mehmet Vrionin, organizuan një fushatë diplomatike në kryeqytetet e Fuqive të Mëdha. Udhëhoqi gjithashtu Kuvendin Kombëtar të Gjirokastrës (1880), që u shpreh për krijimin e shtetit autonom shqiptar me anën e lëvizjes së armatosur. U bë anëtar i qeverisë së përkohshme që u formua në Prizren, në fillim të vitit 1881. Pas shtypjes së Lidhjes, u arrestua dhe u dënua me vdekje nga gjyqi special osman, por dënimi u kthye në burgim të përjetshëm. U nda nga jeta në Stamboll, në vitin 1892. Eshtrat e tij u sollën në Tiranë më 1978. (Në fotografi: Abdyl Frashëri)

Teksti: Fjalori enciklopedik i Kosovës – Vëll. I, Akademia e Shkencave dhe e Arteve e Kosovës, Prishtinë, 2018, faqe 461-462.

Fotografia: © https://en.wikipedia.org/wiki/Abdyl_Frash%C3%ABri

Përpunim grafik: AHCF

- Advertisement -spot_img

LEAVE A REPLY

Please enter your comment!
Please enter your name here

- Marketing -spot_img
Të fundit

Xhemajl Fetahaj

Në luftimet e zhvilluara në Betejën e Koshares, u vra Xhemajl Fetahaj, luftëtar i Ushtrisë Çlirimtare të Kosovës (UÇK), Hero i Kosovës.
- Marketing -spot_img

Lexo më shumë

- Advertisement -spot_img